24-04-2024

Kosnetti fton prokurorët e Kosovës të inspirohen nga Anton Çetta

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ka ftuar prokurorët kosovarë të inspirohen nga figura e shquar kombëtare, Anton Çetta, për punën e tyre.

Duke folur për dhunën e 6 janarit në Washington, Kosnetti ka thënë se vlerat demokratike janë testuar dhe se për t’u udhëzuar duhet t’i kthehemi historisë.

“Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm. Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë. Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës. Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes. Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë”, ka thënë ai në këtë konferencë, duke thënë se për në SHBA frymëzohet nga jeta e gjyqtarit Elbert Tuttle, që luftoi për liritë të afrikano-amerikanëve.

“Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj historikë kur individët janë përballur me rrezikun për të mbrojtur vlerat që ata i vlerësojnë lart. Madje edhe përderisa po ndodhte dhuna e fundit në Capitol, heronj vetëmohues demonstruan guxim të madh me veprime të mëdha e të vogla. Shumë prej jush keni dëgjuar rrëfimin për personelin e Kongresit që patën mendjen dhe guximin për t’i ruajtur votat e Kolegjit Elektoral dhe për t’i siguruar ato.  Po e them sërish, këta janë qytetarë të rëndomtë, të cilët, kur u përballën me test, e bënë të duhurën – duke ndihmuar për të ruajtur dhe mbrojtur institucionet dhe vlerat tona demokratike. Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri”, ka vazhduar Kosnetti.

Në fjalimin e tij, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka përmendur shifrat e punës së vitit 2020, duke thënë se kanë pranuar 43 mijë e 446 kallëzime penale, ndërsa kanë zgjidhur 49 mijë e 381, duke përfshirë ato të viteve paraprake.

“Edhe gjatë vitit që e lamë pas, ne kemi qenë unikë, duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit”, ka thënë ai.

Lumezi ka shtuar se ka pasur ish-ministra të Qeverisë, gjyqtarë, policë e zyrtarë tjerë shtetërorë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për keqpërdorim të detyrës. Ka përmendur operacionin në Karaçevë të Kamenicës, ku u shkatërruan disa kazino dhe u arrestuan dhjetëra policë.

Teksa ka folur për një vetting në sistemin gjyqësor, Lumezi ka thënë se ai duhet të përqendrohet në fuqizimin e komisioneve, që funksionojnë brenda Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj ka thënë se “integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës”.

“Duke u nisur nga parimi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit, pikërisht edhe puna jonë në institucione duhet të jetë e bazuar në këtë maksimë, për të na shërbyer si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme. Zbatimi i këtij parimi është sidomos i domosdoshëm në punën tuaj, prokurorë të nderuar. Intoleranca juaj për shkelësit e ligjit, kushdo e kudo qofshin ata, është ajo çfarë të gjithë qytetarët tanë presin nga ana juaj. Prandaj, edhe njëherë dua t’u ofroj tërë mbështetjen time në këtë drejtim”, ka deklaruar ndër tjerash ajo.

 

Asnjë koment

Comments are closed.