Kosova dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshjen 400 milionëshe për projekte deri më 2027
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, siç janë: infrastruktura, mjedisi, sektori privat dhe integrimi rajonal.
Në takim, kryeministri Kurti theksoi: “Si qeveri, jemi të përkushtuar për mbylljen e boshllëkut infrastrukturor në vend dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Memorandumi i arritur sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritjen e shpejtë të ekonomisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë”.
Nga ana tjetër, Presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso, shprehu se: “Ne synojmë t’i mbështesim nevojat e Kosovës në të dy sektorët, publik dhe privat në çdo hap të rrugës. Kemi synime ambicioze në shumë fusha që mund të plotësohen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon qëllimin tonë për të arritur objektivat strategjike kyçe në Kosovë”.
Në fund të këtij takimi ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të gjitha palët u dakorduan për të thelluar bashkëpunimin në zbatimin e këtyre projekteve.