Kosova ishte përjashtuar si rezultat i veprimeve të njëanshme në Veri, Kurti i bën jehonë rikthimit të “Defender Europe”
Ushtrimi i madh i ushtarëve amerikanë në gjithë Evropën që njihet me emrin “Defender Europe” do të mbahet këtë vit në 18 shtete të ndryshme. Rikthimit të Kosovës në hartën e shteteve ku do të qëndrojnë ushtarët amerikanë, Kurti i ka bërë jehonë në profilin e tij në Facebook.
Sipas Kurtit, nga 26 maji deri më 6 qershor, Kosova do të mirëpres rreth 12 mijë ushtarë nga 19 vende, për ushtrimin e reagimit të menjëhershëm.
“Edhe kësaj radhe, Kosova do të jetë ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku marrin pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere. Nga 26 maji e deri më 6 qershor, do t’i mirëpresim rreth 12 mijë ushtarakë nga 19 vende për ushtrimin e reagimit të menjëhershëm, një nga tre ushtrimet që do të zhvillohen në kuadër të Defender Europe 25”, ka shkruar Kurti.
Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe” si rezultat i politikave të kryeministrit, tashmë në detyrë, Albin Kurti, dhe veprimeve të njëanshme në Veri të Republikës së Kosovës.