02-05-2024

Kosova voton

Sot po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës janë: 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është: 10 mijë e 433 votues.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues.

Sipas listës, KQZ-ja ka akredituar: 18 ambasada me 146 vëzhgues; 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues; 1 institucion publik me 43 vëzhgues; 26 organizata jo-qeveritare vendore me 1 mijë e 713 vëzhgues; 23 subjekte politike 26 635 vëzhgues; dhe 63 media vendore dhe ndërkombëtare me 626 vëzhgues.

Vendvotimet janë hapur në ora 7:00 dhe mbesin të hapura deri në ora 19:00 të ditës së sotme.

Vendimi për zgjedhje ka ardhur pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi në fillim të janarit vendimin sipas së cilit shpallet jokushtetues zgjedhja e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti, si dhe urdhëroi që të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi dhe vota e tij u shpall e pavlefshme sepse ai ishte i dënuar me një vit e tre muaj burg për korrupsion./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.