Kosovën e kaplon i ftohti ekstrem, Tahirsylaj thotë se temperaturat shkojnë -20 gradë
Profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj ka treguar për temperaturat e ftohta që do të kaplojnë vendin përgjatë ditëve në vijim të muajit dhjetor, duke thënë se në gjysmën e dytë të këtij muaji, temperaturat do të shkojnë deri në -20 gradë celcius.
Tahirsylaj thotë se gjatë ditëve në vijim do të ketë një ulje më të madhe të temperaturave, si ato minimale edhe të atyre maksimale. Sipas tij, nga e enjtja do të ketë rritje të temperaturave, të cilat do të shkojnë deri në 7 gradë celcius, ndërsa minimalja deri në -1.
‘Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore që vijnë nga pjesa veri-lindore e rajonit. Këto masa kanë një shkallë të lartë të lagështisë, për rrjedhojë ka një ulje të temperaturave si atyre minimale dhe ato maksimale. Nga dita e enjte do të ketë përsëri rritje të temperaturave, maksimalja shkon deri në 7 gradë celcius ndërsa minimalja në orët e para të ditës shkon deri në -1 gradë celcius, ndërsa në gjysmën e dytë të muajit, temperaturat do të shkojnë deri -20 gradë celcius dhe kjo situate do të zgjasë 10 ditë dhe më tej tejkalohet kjo situatë’, thotë Tahirsylaj.
Sipas tij, deri në fund të muajit, në Kosovë do të ketë reshje shiu dhe ato dëbore të cilat nuk do të jenë të qëndrueshme.
‘Deri në fund të muajit do të kemi reshje shiu dhe reshje dëbore, por reshjet e bores gjatë kësaj jave nuk do të jenë të qëndrueshme si në vendet kodrinore -malore ashtu edhe në ultësira meqenëse nga e enjtja ka një rritje të temperaturave. Këto reshje të borës janë simbolike dhe është një situate e pranueshme’, ka thënë ai.
Tahirsylaj theksoi se ky dimër do të jetë më i ftohtë se dimri i vitit paraprak.
‘Ky dimër do të jetë më i ftohtë se dimri i vitit paraprak. Te gjitha këto ndryshime janë në përputhshmëri me fushat fizike , dhe ne jetojmë me to dhe i përshtatemi’, ka përfunduar ai./GazetaExpress