18-06-2024

KPMM-ja në Malishevë është zotuar se nuk do të lëshojë leje për gurthyesit pa pëlqimin e organeve komunale

Drejtuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) kanë takuar përfaqësuesit e pushtetit lokal në Malishevë, me ç’rast është diskutuar rreth vendimit të Kuvendit të kësaj komune për pezullimin e përkohshëm të lejeve dhe pëlqimeve për të gjithë gurëthyesit që veprojnë këtë anë.

Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Malishevës, në këtë takim zyrtarët e KPMM-së janë zotuar se nuk do të lëshojnë leje operimi pa pëlqimin e organeve komunale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njëherësh kanë bërë të ditur se ky Komision nuk mund të bëjë tërheqje retroaktive të lejeve të lëshuara për këtë veprimtari. Në anën tjetër, përfaqësuesit e KK-së së Malishevës kanë arsyetuar vendimin e këtij organi për pezullimin e përkohshëm të gurëthyesve.

Në komunikatën e Komunës së Malishevës theksohet se në këtë takim KPMM-ja është përfaqësuar nga kryesuesi i Bordit, Musa Shabani, drejtori ekzekutiv Ramiz Krasniqi dhe zyrtarja ligjore, Selvete Greiçevci, derisa nga pushteti lokal kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK-së, Rrahim Morina, dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në KK, Alban Mazreku (PDK), Alban Krasniqi (LVV) dhe Kastriot Berisha (AAK).

Asnjë koment

Comments are closed.