18-01-2022

KQZ-ja pranon 137 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora për Dragashin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga 29 nëntori e deri tani ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime me postë nga votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Dragashit.

Kështu ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, i cili ka treguar se kanë zhvilluar të gjitha aktivitetet për informim të të gjithë votueseve me të drejtë vote.

“Sekretariati është në përgatitje për përsëritjen e raundit të dytë në komunën e Dragashit për procesin e votimit jashtë vendit, periudhë që ka filluar nga data 29 nëntor deri më 13 dhjetor 2021, dhe ka zhvilluar të gjitha aktivitetet për informim të të gjithë votuesve me të drejtë vote dhe ka marrë hapat për të informuar përmes proceseve të informimeve publik. Deri më tani, 6 dhjetor, sekretariati ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime përmes postës”, ka thënë Ahmetaj.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, ka ngritur si shqetësim rrjedhjen e listës me numrat e telefonave të personave të regjistruar për votim nga jashtë. Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar edhe zëvendësimi i anëtarëve të kuvendeve komunale në Lipjan, Suharekë, Graçanicë, Ferizaj, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Partesh dhe Pejë. /ER

Asnjë koment

Comments are closed.