24-11-2024

Kritika rreth gjendjes në arsimin e Prizrenit

Mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, në të cilën ndër tjera kuvendarët diskutuan edhe për gjendjen në arsim, nxori në pah situatën e rënduar, por siç u tha edhe shkelje gjatë përzgjedhjes së disa drejtorëve të shkollave. Përqendrimi tek dështimi në start i konkursit, bëri që të anashkalohet edhe çështja e honorarëve të shumta, duke ia pamundësuar  qasjen kuadrove të reja, që mezi presin një vend pune, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Anulimi i konkursit të munguar për një kohë të gjatë në mëse 30 shkolla, parregullsitë e shfaqura për të cilat ka pasur edhe Kallëzim penal, si dhe shqetësimet për tendencat e mëtejmë të politizimit, në njërin nga sektorët më të ndjeshëm, prej të cilit edhe varet edukimi i gjeneratave, ishin emërues i përbashkët në fjalimet e kuvendarëve të të gjitha subjekteve politike.

Haziz Hodaj (LDK) ngriti shqetësimin për anulimin e Konkursit për drejtorë shkollash, duke e quajtuar si potez politik. “Veprimet e tilla sikur po bëhen praktikë, duke e rënduar edhe më tepër gjendjen në arsim. Konkurrentët për drejtorë do të duhej të ishin elita e arsimit në Prizren, ndërsa arsyetimi zyrtar se aplikantët nuk i kanë plotësuar kriteret nuk është shumë bindës”, tha ai.

Faruk Tahiri (VV), tha se përkundër paralajmërimeve për një proces transparent dhe përzgjedhjes së meritorëve të fushës janë harruar dy hapa. “Verifikimi i dokumentacionit, ku tashmë ka edhe Kallëzim Penal, për shkak të dyshimeve se një kandidati qëllimshëm i është hequr ndonjë dokument, për t’ia pamundësuar përzgjedhjen, si dhe mënyra e poentimit të kandidatëve, 6 prej të cilëve janë kryekëput politik”, tha ai.

Drejtoresha për Arsim në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj mohoi ndikimet eventuale  tek Komisioni përzgjedhës, derisa tha se anulimin e Konkursit nga Komisioni e ka pritur me shqetësim, por kandidatët mund të konkurrojnë sërish në konkursin e rishpallur.

Mbi 30 shkolla të Komunës së Prizrenit apo më tepër se gjysma e tyre, aktualisht janë në menaxhim të ushtruesve të detyrës. Disa prej të tyre kanë shkelje të disafishtë ligjore. Aq më keq,  ata kanë nisur shkeljen e tretë (3 herë nga 3 muaj) edhe në qeverisjen e re të Shaqir Totajt, i cili sa ishte në opozitë i kritikonte shumë këto veprime antiligjore.

Kjo situatë, padyshim është reflektuar në shumicën e shkollave, të cilat janë ngarkuar me honorare, ku shumë mësimdhënës bëjnë zëvendësime. Ka u.d drejtorë e zv/drejtorë, që janë ngarkuar me honorare duke marrë ( deri 750 euro), meqë njëkohësisht ushtrojnë dy pozita. Raste të tilla kanë ndodhur edhe me mësimdhënës. Sipas informacioneve në disa raste, të preferuar të drejtorëve mbajnë honorare, që nuk janë të profilit të tyre, për çka ka pasur edhe reagime brenda kolektivave. Në disa raste drejtorët nuk i ekspozojnë listat e pagave në sallë të arsimtarëve.

Derisa po ndodh kjo, shumë kuadro të reja janë në pritje të një vendi të punës, pasi ka raste kur ekzistenca familjare varet direkt nga një pagë.

Përmbylljen e gjysmëvitit të parë të qeverisjes së re në arsimin prizrenas, një profesoreshë e vjetër e ka përshkruar kësisoj: “Pos ndërrimit të orarit, asgjë tjetër s’ka ndërrua gjatë kësaj kohe”. / Gazeta e Prizrenit

 

Asnjë koment

Comments are closed.