21-11-2024

Krusha e Vogël – fshati që e përjetoi masakrën e madhe

Më 25, 26, 27 mars të vitit 1999, në disa fshatra të rajonit të Anadrinisë, sidomos në Krushë të Vogël dhe të Madhe, është ndërmarrë një fushatë e egër dhune nga forcat serbe, duke vrarë e masakruar një numër të burrave, pa kursyer as fëmijët, gratë dhe pleqtë.

Krusha e Vogël, rreth 10 kilometra larg Prizrenit, pësoi dëme të mëdha. Përpos djegies së objekteve të banimit, forcat serbe gjatë kësaj periudhe vranë 113 civilë shqiptarë. Prej tyre, 45 janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa 68 konsiderohen të zhdukur.

Gratë e ndara nga burrat, u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre dhe të nisen në drejtim të kufirit me Shqipërinë, në Vërmicë afër Prizrenit.

Fshati ka edhe një dëshmor të luftës, ndërsa si pasojë e minave, pas luftës ka vdekur edhe një person. Krahasuar me numrin e banorëve,ky është ndër lokalitetet më të dëmtuara në Kosovë.

Masakra, një akt tronditës i hakmarrjes këtu ishte kryer mesditën e 26 marsit 1999, dy ditë pasi NATO filloi sulme ajrore kundër forcave serbe, që vepronin nën komandën e liderit famëkeq serb, Slobodan Milosheviq.


Vendi i vrasjes në Krushë të Vogël

Për kryerjen e kësaj masakre, banorët i fajësojnë edhe fqinjët e tyre serbë, të cilët u ishin bashkangjitur formacioneve paraushtarake e policore. Brutaliteti i tyre u dëshmua, përderisa nuk kursyen asgjë, përfshirë vrasjet, djegien e pronave si dhe dëbimin e fqinjëve shqiptarë.

Për ta përjetësuar masakrën çnjerëzore të fundshekullit XX, është botuar një libër nga publicisti Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani nga Krusha  e Vogël.  Libri “Fshati i vrarë” përmbledh dëshmi dhe fakte, ndërsa tregon historitë e të mbijetuarve të masakrës në Krushë të Vogël. “Libri është një sintezë e tragjedisë njerëzore, që ka ndodhur në këtë fshat, ku serbët e armatosur, civilë, ushtarë, policë e paramilitarë, vranë e masakruan 113  meshkuj  nga 12 deri në 77 vjeç”, kanë shkruar ndër të tjera autorët.

Disa nga dëshmitë e mbledhura për masakrën, u janë dorëzuar më herët prokurorëve ndërkombëtarë të misioneve të OKB-së dhe BE-së. Një pjesë e tyre shërbeu për të ngritur aktakuzë ndaj Darko Tasiq, njërit nga serbët e këtij fshati, të cilin më 2020, Gjykata e Prizrenit e ka dënuar me 22 vite burgim për pjesëmarrje në masakër. Më vonë, Gjykata e Apelit në Kosovë, dënimin ndaj Tasiqit e ka ulur në 11 vjet burgim.

Ndaj të dyja rasteve të dënimit të tij, kanë protestuar banorët e Krushës. Fillimisht protesta është mbajtur para Gjykatës në Prizren, më 22 qershor 2020, ditën kur Tasiq është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte. Më pas në Prishtinë, më 3 dhjetor 2020 në shenjë revolte për uljen e dënimit nga Gjykata e Apelit,u protestua para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Banorët këtë vendim e kanë quajtur si të papranueshëm, dhe veprim fyes nga sistemi i drejtësisë.

Open photo
Tymi gjatë djegies së Krushës së Vogël, 
foto e bërë nga Bregdrini i Hasit

Dëshmitë për masakrën

Kasum Hajdari nga Krusha e Vogël ishte personi i cili kishte nxjerr, kamionin me trupat e mbi 100 shqiptarëve të fshatit nga lumi Drin. Ai kishte vërejtur gjymtyrë të njerëzve dhe rroba të djegura. Kamionin bashkë me eshtrat i kishte dorëzuar në Kryq të Kuq.
Këto dëshmi dhe disa të tjera, Prokuroria i ka marrë parasysh në aktakuzën kundër serbit të dyshuar për krime lufte, Darko Tasiq.

Në dëshminë e Hajdarit tregohet në detaje i gjithë momenti kur Tasiq bashkë me familjen e tij, kishin djegur trupat e pajetë të shqiptarëve.

Edhe Kadri Muharremi ishte prezent fundmarsin e vitit 1999, kur familja Tasiq po plaçkiste nëpër Krushë të Vogël. Në deklaratën e tij tregohet për britmat e dëgjuara në momentin kur po digjej kamioni me trupat e shqiptarëve brenda.

Në këtë fshat është formuar shoqata për hulumtimin e personave të rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Komuna e Prizrenit ka ndërtuar Memorial kushtuar martirëve në Krushë të Vogël.

( Marrë nga libri “Ngjarjet e lavdisë” të autorit prizrenas, Qazim Morina )

Projekti i Memorialit në Krushë të Vogël


 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.