19-04-2024

Rrëfimi rrëqethës i profesorit Bytyçi: Nuk më rrokën plumbat, fati më shpëtoi nga Masakra në Suharekë

Sot, në 23 vjetorin e RILINDJES time!

Unë i mbijetuari i Masakrës së Therandës (Suharekës), Sejdi Bytyçi, aktualisht profesor i historisë në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit, i lindur më 1958 në fshatin Semetisht të Therandës, me banim të përhershëm në Prizren, përjetova këtë të masakër, fatmirësisht i shpëtova vrasjes edhe përkundër urdhrit për ekzekutim, ku nuk më kapën breshëritë e plumbave të pushtuesit barbar serb.

Ngjarja:

Më 25 mars 1999 vazhdoi masakra e nisur tri ditë më parë (më 22 mars 1999) nga forcat pushtuese policore-ushtarake serbe kundër civilëve, qytetarëve shqiptarë, me t‘vetmin pretekst pse ishin shqiptarë.

Për shkak se në fund të gushtit 1998, forcat pushtuese serbe e bënë shkrumb e hi fshatin tim, Semetishtin, krahas fshatrave të tjera, duke vrarë e masakruar bashkëfshatarë, në mënyrën më shtazarake, nga tetori 1998 me familjen time ndodhesha i strehuar në shtëpinë e dhëndrit të xhaxhait, Jonuz Bali Berishës në Therandë (Suharekës), deri në mëngjesin e hershëm të 25 marsit 1999.

Fati deshi që t‘i shpëtojë ekzekutimit të forcave pushtuese serbe. Atë mëngjes të kobshëm, rreth orës 6:00, kur drita kishte zbardhur. Forcat e njësisë speciale serbe, me shoqëruesit e tyre, serbët lokalë, të armatosur deri në dhëmb, hynë dhunshëm nëpër shtëpi duke na nxjerrë jashtë, të zbathur e të zhveshur, duke na sharë e fyer, duke na rrahur e përgjakur, duke na plaçkitur para e stoli ari dhe në fund duke na vrarë në mënyrën më çnjerëzore, shtazarake, me thika e armë të ndryshme që i posedonin.

Vetëm në një pjesë të qytezës sime, Therandës (Suharekës), atë ditë u vranë disa dhjetëra e dhjetëra qytetarë shqiptarë të pa armatosur, të të gjitha moshave (pleq, gra e fëmijë). Në mëngjesin e hershëm të 25 marsit të vitit 1999, pasi na nxorën jashtë shtëpisë së Jonuz Berishës, zbathur e zhveshur, ku ishim strehuar.

Meshkujt na ndanë nga familjarët tanë, na torturuan, na i morën paratë që kishim, na urdhëruan që t’i ngritnim duart lart, na vunë para një muri të një ambulante specialistike private te Hamzi Berishës, e rrethuar në tri anë me mur dhe pas përgjakjes e rrahjes deri në alivanosje, dhanë urdhër edhe që t’na ekzekutonin.

Pas urdhrit për t’na vrarë, nga të shtënat breshëri të automatikut,  nga një distancë prej rreth 10 metrash, katër shokët tjerë u rrëzuan përtokë, ndërsa kuptova se nuk më nuk rroku asnjë plumb, shpëtova. Afër meje ishte një deriçkë (kapixhik), ku gjatë tërë kohës mendoja të ikja përmes saj, por nuk e dija nëse ishte e hapur. Menjëherë kam ikur, duke kapërcyer mbi një mur dhe me ndihmën e disa banorëve jam strehuar në një shtëpi të afërt.

Nga shokët mbetën të vrarë:
Ramadan Suka, mësues i moshës 47 vjeçare
Osman Elshani, 41 vjeçar
Hafir Shala,arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, 37 vjeçar
Albert Dulaku, student, 23 vjeçar.

Pasi shpëtova,  në mesnatë, nëpërmjet shumë vështirësive, me dy persona të tjerë jam nga Suhareka larguar në drejtim të fshatit tim, banorët e të cilit ishin strehuar në një vend tjetër.

Ishte përhapur lajmi për vrasjen time. Derisa po shkoja në drejtim të familjarëve të strehuar,  ata që më vërejtën nga distanca, nuk po u besonin syve se isha i gjallë. Të paharrueshme janë reagimet, emocionet dhe lotët e nënës kur më pa. Aq më tepër kur unë isha i vetmi djalë i saj.

Pas mbarimit të luftës, çlirimit de fakto të Kosovës nga UÇK dhe NATO, u mora në pyetje, intervistim nga gazetarë dhe jo gazetarë në cilësinë e dëshmitarit të gjallë për këto masakra, por çuditërisht asnjëherë nuk u ftova në cilësinë e dëshmitarit në Hagë të Holandës për krimet dhe masakrat serbe mbi ne shqiptarët, të kryera nga makineria vrastare serbe.

/GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.