Shpëtohet bjeshkatari gjerman në Luboten, ShKShMK: Është në gjendje stabile pavarësisht lëndimeve
Një bjeshkatar gjerman është shpëtuar pas një rrëzimi të rëndë në zonën e majës së Lubotenit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, sot më 26.05.2026, numri kujdestar i ShKShMK ka pranuar një thirrje emergjente për ndihmë nga zona e Lubotenit, ku një grup bjeshkatarësh nga vende të ndryshme të Evropës po zhvillonin aktivitet malor.
![]()
Gjatë kthimit, një bjeshkatari me nacionalitet gjerman, P.J., 48 vjeç, ka rrëshqitur në faqen lindore të mbuluar me borë, duke rënë rreth 500 metra në terren të thepisur dhe duke pësuar lëndime të shumta trupore, që i kanë pamundësuar lëvizjen.
Menjëherë pas marrjes së informatës dhe koordinatave, ShKShMK ka mobilizuar dy skuadra shpëtimi dhe ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit në kushte të vështira malore.

Pas arritjes në vendin e ngjarjes, ekipet i kanë ofruar ndihmën e parë të lënduarit, kanë bërë imobilizimin e tij dhe kanë realizuar evakuimin deri në një pikë të sigurt, nga ku është transportuar me automjete 4×4 deri te autoambulanca.
I lënduari është raportuar në gjendje stabile, pavarësisht lëndimeve të shumta të pësuara.

Operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, Ambasadën Gjermane, Shërbimin e Urgjencës në Ferizaj dhe autoritetet tjera relevante.
Lexo edhe:
