Të shtëna me ar*më në aheng familjar në Has – Bastiset lokacioni, arrestohet i dyshuari
Në një aheng familjar në fshatin Lugishtë e Hasit të Prizrenit janë raportuar të shtëna me armë zjarri.
Rasti ndodhi mbrëmë, me 25 majit, rreth orës 23:30, raporton Gazeta e Prizrenit.
Referuar raportit të Policisë është arrestuar një person për shkak se dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. “Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga i dyshuari kanë konfiskuar një pistoletë me gas me 28 copë fishekë dhe 8 copë gëzhoja të fishekëve. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërkaq, burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar përmes aplikacionit mobil të Policisë nga një ankues anonim.
Pas marrjes së informacionit, patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka kontaktuar me të dyshuarin L. Osmanaj.
Sipas informatave fillestare, i dyshuari fillimisht kishte mohuar se kishte pasur të shtëna me armë, por më vonë kishte pranuar se kishte shtënë gjatë një ahengu familjar.

Sinjali mëson se ai më pas ka dorëzuar vullnetarisht një armë me gaz (pneumatike) të llojit “ZORAKI”, kalibër 9 mm, një karikator, 28 fishekë dhe 8 gëzhoja.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë sekuestruar armën, municionin dhe gëzhojat si prova materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

