25-05-2026

Tetë zyrtarë policorë nderohen për guxim dhe heroizëm

Tetë policë të Kosovës, janë vlerësuar lart për punën e tyre në shërbim të qytetarëve

Ata me rekomandim të Drejtorit të Përgjithshëm Gazmend Hoxha, sot kanë pranuar “Medalje për shpëtim jete”, në shenjë mirënjohjeje për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetëve njerëzore.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga PK-ja.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi lart aktin human dhe fisnik të zyrtarëve policorë, duke theksuar se ata, duke rrezikuar jetën e tyre, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës.

“Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane”, u shpreh ai.

Sipas Sveçlës, veprimet e zyrtarëve policorë janë dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, sidomos në momentet kritike kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Akti heroik, guxim dhe humanizëm

Derisa i pari i organeve të rendit, kolonel Gazmend Hoxha, e cilësoi ndërhyrjen e zyrtarëve policorë si një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi, duke theksuar se ata nuk hezituan asnjë çast për të vepruar në shpëtimin e jetëve njerëzore.

“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por bart një mision human dhe përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit”, theksoi drejtori Hoxha.

Në fund të ceremonisë, u theksua se Policia e Kosovës vazhdon të mbetet ndër institucionet më të besuara në vend, falë përkushtimit dhe gatishmërisë së zyrtarëve të saj për të shërbyer në çdo rrethanë.

Asnjë koment

Comments are closed.