Kryeministri konfirmon se ndalohen të gjitha tubimet publike, kërkon kujdes në shkolla, punë dhe rrugë
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, po kërkon kujdes maksimal për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronaviorusit.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se nuk do të ketë asnjë tubim publik, derisa ka kërkuar kujdes nëpër shkolla, punë dhe rrugë.
“Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të covid-19. Evropa dhe vendet e rajonit tanimë janë përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë treshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se institucionet po bëjnë përpjekjet maksimale për të evituar mbylljen totale.
“SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës. Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione”, ka shkruar Hoti.
“IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive. Në shkolla ka kontroll të shtuar. Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse. Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave”, ka shkruar i pari i Shtetit.
Hoti thotë se duhet të tregohet kujdes maksimal dhe të respektohen masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Por, na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, ka shkruar Hoti./GazetaExpress/