Kryeministri Kurti nga Krusha: Përkulemi me shumë dhimbje e pikëllim, por edhe me shumë dashuri e krenari
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, me rastin e 24-vjetorit të masakrës atje.
Ai është shprehur se aty përkulemi me shumë mall, dhimbje e pikëllim, po në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri.
“Çdo fillim pranvere ne i kujtojmë dhe i përkujtojmë ata të cilët dhanë jetën e tyre, luftuan heroikisht për çlirimin e Kosovës, për lirinë, për pavarësinë e për bashkimin tonë. Andaj edhe këtu në Krushë, në vendlindjen e bacës Ukë, të profesorit Ukshin Hoti, të cilët i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekjen tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin i cili na shërben të gjithëve si Republikë”.
“Këtu përkulemi me shumë mall, dhimbje e pikëllim, po në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim që i paktëm këta burra e gra, në krye me Ukshin Hotin dhe e arritëm çlirimin e vendit e njëkohësisht e kemi edhe udhërrëfimin se si të ecim përpara pa u ndalur, pikërisht për shkak të veprës së tyre, për shkak të jetës së tyre, për shkak të rënies së tyre me flijim e me sakrificë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu tha se duhet bashkuar që brezat e rinj të mos kalojnë, siç u shpreh ai, në vuajtje e humbje nëpër të cilat kaluam ne.
“Sot si institucione të Republikës, të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të Republikës e të shtetit, me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që s’kanë lindur ende të mos kalojnë nëpër këto vuajtje e humbje nëpër të cilat kaluam ne, po në të njëjtën kohë të kenë edhe të ardhme të ndritshme, në një Kosovë, në një rajon, në një Evropë e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrotjur nga çfarëdo agresioni. Lavdi Ukshin Hotit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, u shpreh tutje Kurti.