29-04-2024

Kryeopozitari Totaj, një mal akuzash ndaj qeverisjes së Prizrenit rreth gjendjes në arsim

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir  Totaj, përmes një konference për media, ka hedhur një varg akuzash, për sic ka thënë për gjendjen e rënduar në arsimin e Komunës së Prizrenit.

Akuzat e tilla, ai ia ka hedhur qeverisjes komunale për keqmenaxhim:

Në vazhdim deklarimi i Totajt:

1. Pas pranimit të mbi 70 të punësuarve, në po aq vende pune konkurset në vijim:
Nr 1998/2019 i datës 02.07.2019;
Nr. 2004/2019 i datës 03.07.2019;
Nr. 2122/2019 i datës 11.07.2019;
Nr 2145/2019 i datës 15.07.2019;
Nr. 2280/2019 i datës 02.08.2019 dhe
Nr 2279/2019 i datës 02.08.2019;
janë anuluar nga kryetari i komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e arsimit znj.Xhemile Thaçi-Vezgishi, në kundërshtim me ligjin e punës: Nr. 03/L-212.

Të gjithë kandidatët e pranuar në këto konkurse, pas anulimit të konkursit, janë ankuar, dhe inspektorati i punës me vendim, i ka kthyer në vendet e punës. Në anën tjetër, drejtoria e arsimit, nuk e ka respektuar vendimin e inspektoratit të punës dhe ka shpallur konkurs për të njëjtat vende të punës, përmes zyrës së personelit, i cili konkurs ka shkelje ligjore, ngase nuk është përmend ligji për arsimin parauniversitar: Nr. 04/L-032.

Ky konkurs është mbështetur në ligjin për zyrtarët publik: Nr. 06/L-114, për të cilin ligj, Gjykata Kushtetuese ka bërë masë të sigurimit të përkohshëm, (ku ky ligj nuk prodhon efekte juridike për 3 muaj). Kryetari i komunës dhe DKA, pas masës së sigurimit nga Gjykata Kushtetuese për ligjin për zyrtarë publik:Nr. 06/L-114, akoma nuk ka nxjerr vendim për anulimin e konkursit, gjë që ligjërisht ka qenë e obliguar ta bëjë.

Të gjitha këto veprime, të cilat janë pasojë e paaftësisë profesionale të zyrtarëve të lartë të Komunës, krijojnë një dëm serioz, i cili matet me numrin e orëve të humbura, që deri më tani janë rreth 3 mijë e 500 orë mësimore, të cilat mbesin të pakompensuara.

Pa planifikim të DKA-së, është hapur Konkursi: Nr. 01-111, i datës: 21.06.2019, për vendin e punës: Zyrtar i lartë për standarde dhe vlerësim – AR/410, i cili vend i punës fare nuk ekziston, në organogramtë DKA-së në Prizren.Ky konkurs nuk është në harmoni me organogramin e DKA-së në komunën e Prizrenit, të cilin e ka miratuar Asambleja Komunale e Prizrenit, ku në këtë komision, ka qenë edhe drejtori aktual i Administratës z. Osman Hajdari. Prandaj, konkursi dyshohet të jetë i manipuluar nga zyra e personelit, sepse posti për të cilin është hapur konkursi, nuk është i përfshirë në organogramin e vendeve të punës, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës.

Pas lirimit të një vendi pune në shkollën ‘’Emin Duraku’’ nga DKA në Prizren, është dërguar një mësuese, inicialet e së cilës janë: A. C. e cila është pranuar pa konkurs dhe vazhdon në mënyrë të kundërligjshme të punojë. Gjithashtu në shkollën ‘’Motrat Qiriazi’’, pas anulimit të konkursit, mësimdhënësja J. B. e cila është pa përvojë, është pranuar fare pa konkurs, dhe në mënyrë të kundërligjshme vazhdon punën e mësimdhënëses.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, në vitin 2018, i ka anuluar disa nga konkurset për drejtorë të shkollave në Prizren. Konkurset kanë qenë dashur të përsëriten, por nuk janë përsëritur. Në këto shkolla janë caktuar UD të drejtorëve me kohëzgjatje 6 mujore, të cilët janë militantë të partive të koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga VV.

Mandati me kohëzgjatje 6 mujore, ka skaduar para një viti, por drejtorët vazhdojnë të ushtrojnë detyrën në mënyrë jolegjitime. Janë 5 raste, e disa nga to po i përmendim:
Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku”, i cili është militant i VV-së;
Drejtori i shkollës së mesme të Mjekësisë, militant i LDK-së;
Drejtori i shkollës fillore në Reçan, militant i partisë që është partner i koalicionit.

Këtyre drejtorëve të caktuar si UD i drejtorit të shkollës me vendim, ju ka përfunduar mandati dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, ushtrojnë detyrën e drejtorit. “Ligji i punës nr. 03/L-212, respektivisht neni 10 pika 6, përcakton se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti.” Mosfunksionalizimi i mandateve për zëvëndës drejtor në disa shkolla, që manifestohet përmes mosshpalljes sëkonkurseve për këto poste, poashtu është çështje që në këtë kontekst duhet përmendur.

Tre drejtorë të DKA-së janë ndërruar për një vit e gjysëm qeverisje, që mund të jetë njekohësisht shkak dhe pasojë e gjendjes aktuale në DKA dhe Komunën e Prizrenit.Rezultat e dobëta të testit PISA, përveç tjerash, ndërlidhin edhe përgjegjësinë e ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, z.Skënder Susurin, i cili ka qenë kryesues i Komisionit të MASHT-it për Testin PISA .Premtimet e tij, kohë më parë, kanë qenë për një rezultat shumë më të mirë të PISA, se në vitin 2015.

Modest duket të ketë qenë, kontributi i ish-drejtorit, që përkundër largimit nga posti nga partia e tij, kryetari i komunës z.Mytaher Haskuka, vazhdon ta mbajë afër, ku pa ndonjë pozitë, z.Susuri në foltore madje premton edhe projekte të reja.

Shtrohet pyetja, se a është ky standardi dhe përmirësimi që VV, ka premtuar në fushatë zgjedhore, dhe a ju interesojnë fare prindërve dhe nxënësve arsyetimet edhe ashtu iracionale të z.Haskukës, i cili për të gjitha dështimet e deritanishme në përmbushjen e premtimeve të tija, akoma vazhdon ta fajësoj partinë opozitare PDK-në, që është paradoksale”, ka thënë në këtë konferencë Totaj. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.