19-04-2024

Kryesuesi Abrashi: Kuvendi aktual i Prizrenit dallon shumë nga të mëparshmit

Kryesuesi Artan Abrashi, ka lavdëruar punën e bërë të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, gjatë vitit të kaluar, kur edhe ai ka marrë drejtimin e tij.

Organin më të lartë komunal prej një viti e drejton Vetëvendosje! me partnerët e saj LDK-në, Nismën dhe partitë e minoritetit boshnjak e turk.

Në një intervistë të shkurtër për portalin “GazetaePrizrenit.net”, ai ka thënë se Kuvendi aktual dallon shumë nga legjislaturat e mëparshme, meqë jo vetëm që ka pasur më shumë informata mbi punën e ekzekutivit, por edhe opozitës së tanishme i është krijuar mundësi për t’u shprehur dhe debate si asnjëherë më parë.

“Gazeta e Prizrenit”:  Si e vlerësoni punën e Kuvendit Komunal gjatë vitit të kaluar?

A. Abrashi: Konsideroj se ka qenë një vit i suksesshëm i punës së Kuvendit. Pas konstituimit të legjislaturës lokale dhe themelimit të komisioneve obligative, kemi hartuar dhe miratuar planin e punës në fillim të vitit. Mbledhjet plenare janë thirrur dhe mbajtur ashtu siç janë planifikuar. Bashkë me mbledhjet e thirrura nga opozita kemi përmbyllur vitin me tejkalimin e seancave të rregullta dhe të jashtëzakonshme.

2. “Gazeta e Prizrenit”: Cilat çështje më të rëndësishme i ka miratuar KK?

A. Abrashi: Në 13 mbledhjet e mbajtura janë shqyrtuar dhe miratuar mbi 50 pika të rendit të ditës. Për dallim nga legjislaturat e mëparshme, kemi pasur më shumë informata mbi punën e ekzekutivit të cilat rezultuan me diskutime dhe debate të shumta brenda Kuvendit. Kjo ka rezultuar në fuqizimin e rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen dhe monitorimin e ekzekutivit lokal.

3. “Gazeta e Prizrenit”: Si i vlerësoni raportet me opozitën?

A. Abrashi: Konsideroj se opozita është mekanizëm i çmuar brenda Kuvendit. Kritika, debatet dhe sugjerimet e kanë begatuar punën e Kuvendit. Për dallim nga legjislaturat e mëhershme, opozita e tanishme ka më shumë hapësirë për diskutime, mungesë të plotë të cenzurës, mundësi për tu shprehur dhe debate sikurse asnjëherë më parë. Konsideroj se kështu gjallërohet puna e kuvendit dhe pasurohet më shumë parlamentarizmi brenda Kuvendit./GazetaePrizrenit.net/

P. S

Dje në “GazetaePrizrenit.net” ka qenë shkrimi për vlerësimin e opozitës në Prizren për punën e KK-së:

Opozita i jep notë të ultë Kuvendit të Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.