23-11-2024

Kryetarët e komunave kanë përmbushur vetëm 95 premtime

Vetëm 95 premtime i kanë përmbushur kryetarët e komunave në Kosovë, nga 900 sa kishin dhënë gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Instituti GAP ka publikuar në platformën online dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët aktual të komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017.

Prej mbi 900 premtimeve të dhëna në 26 komuna, siç njofton GAP për pjesën e parë të këtij mandati janë përmbushur plotësisht 95 premtime, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 53 premtime, ndërsa në 301 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, përderisa 455 premtime akoma nuk kanë nisur së realizuari.

Numri më i madh i premtimeve të realizuara siç bëhet e ditur në komunikatë është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe administratës.

Ndërsa, fushat ku ka më së paku lëvizje në përmbushjen e premtimeve është ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimeve publike si dhe në fushën e urbanizimit.

“Disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore, gjë që e bën vlerësimin e premtimeve të pamundur. Komunat si Skenderaj, Mamushë dhe 10 komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete. Instituti GAP vlerëson faktin se kandidatët për kryetarë të komunave gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 kanë qenë më të kujdesshëm në dhënien e premtimeve, zgjidhja e të cilave është kompetencë e niveleve tjera të qeverisjes”, bën të ditur GAP./insjaderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.