18-05-2024

Kryetari Haskuka hap konkurs të punësojë këshilltarë për këshilltarët e tij

Pjesën e mbetur të mandatit kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duket se do ta bëjë i vetmuar në qeverisje, pasi me gjasë nuk do t’i ketë partnerët e koalicionit me të cilët e filloi drejtimin e Komunës.

Gjatë mandatit të Haskukës, pesë drejtorëve të Komunës iu është ngritur aktakuzë, ndërsa tashmë në detyrë mbetet vetëm drejtori i Inspektoratit Islam Thaqi, ndërsa katër të tjerë, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri dhe Ertan Simitqi janë dorëhequr ose shkarkuar.

Haskuka kishte hasur në vështirësi për të emëruar drejtorët e ri të Komunës, meqenëse shumë emra të propozuar i kanë refuzuar këto pozita duke hezituar të marrin në drejtim drejtori në të cilat dyshohet për keqpërdorime sidomos me tenderë gjatë kohës së krizës së pandemisë.

Komuna e Prizrenit në bazë të vendimit të kryetari Haskuka të datës 30.06.2020 ka shpallur konkurs për shërbime të veçanta për disa pozita.

Zyra e Kryetarit Mytaher Haskuka synon të punësojë 3 nënpunës civil me kontratë për shërbime të veçanta (me kohë të caktuar), të cilët do të angazhohen si Këshilltar të Kryetarit të Komunës.

Ky është një konkurs i veçantë pasi që deri më tash këshilltarët e Kryetarëve të Komunave dhe Drejtorëve të Komunës janë pozita në të cilat emërohen persona të caktuar, mirëpo nuk është praktikë e zakonshme që për këto pozita të hapen konkurse.

Sipas konkursit këshilltarët do të kenë disa detyra ndër to: i ofron këshilla dhe udhëzime Kryetarit të Komunës, lidhur me proceset dhe procedurat nga aspekti financiar, e ndihmon Kryetarin e Komunës, lidhur me vlerësimin e planeve buxhetore vjetore të Komunës së Prizrenit, mbanë dhe përditëson një bazë të dhënash të kontakteve të mediave dhe krijon marrëdhënie të mira me gazetarët kryesorë në lidhje me lajmet që i interesojnë Kryetarit të Komunës, si dhe monitoron në vazhdimësi mediat e shkruara dhe elektronike dhe përgatit një përmbledhje të informatave për Kryetarin e Komunë

Por kjo nuk është e veçanta e këtij konkursi, pasi që pos këshilltarëve për Kryetarin Haskuka, me vendim të tij është hapur konkurs për Këshilltar edhe për Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Një punës/këshilltar për Drejtoreshën e kësaj drejtori synohet të punësohet nëpërmjet këtij konkursi, i cili nëpunës do të ketë pagë prej 378 Euro.

Mirëpo sipas Ligjit për  vetëqeverisjen lokale, në Nenin 58 Përgjegjësitë e Kryetari në pikën F thuhet se “emëron dhe shkarkon anëtarët e tij të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave” pra emëron Drejtorët e Komunës që sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale janë këshilltar të Kryetarit.

Drejtorët komunal sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale cilësohen si këshilltar të Kryetarit të Komunës pasi që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i Komunës, kurse drejtorët i raportojnë rregullisht kryetarit për çështjet që janë nën përgjegjësinë tyre dhe i ofrojnë atij të gjitha informatat dhe raportet e nevojshme për procesin e vendimmarrjes.

Praktika e punësimeve përmes kontratave me shërbime të veçanta ka vazhduar edhe në qeverisjen e Haskukës në Komunën e Prizrenit, ndërsa kjo praktikë e punësimeve në vazhdimësi kritikohet ngase i krijohet mundësia e punësimeve partiake.

Lajme365 ka identifikuar dhe në vazhdimësi ka raportuar për tenderë të dyshimtë dhe shkelje ligjore në Komunën e Prizrenit.

Gjatë krizës së pandemisë Komuna e Prizrenit ka zhvilluar shumë tenderë, shumica prej tyre me procedurë të negociuar pra pa pasur ët drejtë të konkurrojnë disa operatorë ekonomik, por tender i janë dhënë kompanive të favorizuara nga Komuna dhe Drejtorët e Haskukës.

LAJME365 kishte raportuar për dy tenderë për të cilët tashmë Prokuroria e Prizrenit po zhvillon hetimet për dyshimet për vepra penale të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Portali ka zbuluar një  tender të dyshimtë në Komunën e Prizrenit të udhëhequr nga Vetëvendosje. Çmimet diametralisht të ndryshme për produkte thuajse të ngjashme, ngrisin dyshime se ky tender me kohë është “qëndisur” për njerëz të afërt me Vetëvendosjen.

Asnjë koment

Comments are closed.