19-05-2024

Kryetari i Dragashit: Kanë ardhur rreth 200 veta nga jashtë, nuk kemi raste të konfirmuara me koronavirus

Në Komunën e Dragashit, rreth 200 persona janë kthyer nga Italia, Zvicra, Franca, Serbia e të tjera vende. Mirëpo, sipas kryetarit të kësaj Komune, Shaban Shabani, të ardhurit po qëndrojnë të izoluar. Ai ka thënë për Express se ekipet mjekësore po bëjnë kontrolle të vazhdueshme dhe se deri më tani asnjë rast i dyshuar nuk ka rezultuar pozitiv me virusin Covid-19. Ndërkohë, ka theksuar se kjo komunë është në rezervat e fundit të materialeve shpenzuese

Shabani ka thënë se situata në Komunën e Dragashit është nën kontroll. Ai ka theksuar se të gjithë të kthyerit nga vendet e tjera në Kosovë, po iu nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme mjekësore.

“Të gjithë të ardhurit kanë bërë kontrolle nga vendet që kanë ardhur dhe në kufijtë që kanë kaluar. Deri tani asnjë të dyshuar dhe të konfirmuar me koronavirus. Kemi të ardhur nga Italia, Zvicra, Franca, Maqedonia, Serbia e Kroacia, pasi në komunën tonë ka edhe komunitete. Kemi bërë apel që të qëndrojnë të izoluar. Ka pasur raste të dyshuara, por fatmirëisht asnjë prej tyre nuk ka dalë pozitiv me koronavirus”, ka thënë Shabani.

Ai ka theksuar se afro 200 persona janë kthyer nga vendet e Evropës në 3 javët e fundit.

“Përafërsisht 200 mërgimtarë kanë ardhur në komunën e Dragashit, jemi zonë rurale me komunitete, është e vështirë të dihet numri i saktë, por deri më tani gjendja është stabile. Nuk kemi asnjë rast të konfirmuar në Dragash, nuk jemi komunë e izoluar”, ka thënë Shabani.

Shabani ka bërë të ditur se stafi mjekësor, inspektorati dhe policia janë në krye të detyrës, për të përcjellë gjendjen e qytetarëve.

“Stafi mjekësor me kapacitetet që i ka po e jep maksimumin. Inspektorati është 24 orë në terren bashkë me policinë, po mundohemi me e kalu me kapacitetet që i kemi, por nuk është gjendje paniku dhe nuk duhet të jetë”, ka thënë Shabani.

Ndërkohë, Shabani ka bërë të ditur se furnizimet me materiale shpenzuese janë në rezervat e fundit.

“Ka pasur furnizime por nuk janë të mjaftueshme, jemi në rezervat e fundit. Por jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim furnizime të reja”, ka deklaruar ai.

Shabani ka thënë se qytetarët po dalin vetëm për të kryer furnizimet e nevojshme me ushqime dhe barna.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se në vendin tonë aktualisht janë 16 raste të konfirmuara me Covid-19, duke bërë të ditur se rastet e fundit janë ato të mesnatës së 17 marsit.

7 raste janë nga fshati Stubëll e Epërme e Vitisë, 4 raste nga Malisheva dhe një rast nga komuna e Klinës, një nga Prizreni, një nga Podujeva, një nga Prishtina e një nga Obliqi.

Ndërsa bëhet e ditur se aktualisht janë duke u testuar 271 mostra të dyshimta.

Asnjë koment

Comments are closed.