Ndonëse kaluan dy javë nga fillimi i këtij gjysmëvjetori e më tepër se dy vjet nga fillimi i mandatit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, filloristët e këtushëm nuk kanë marrë shujtën e premtuar falas, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Zotimi paraelektoral i Haskukës, për ofrimin e shujtës ushqimore dhe qumështit falas për nxënësit deri në klasën e 5-të ende nuk është jetësuar.
Zyrtarët lokal disa herë janë deklaruar për zhvillimin e procedurave tenderuese, duke premtuar se projekti do të realizohet në këtë apo atë gjysmëvjetor, por kjo nuk ndodhi.
Në një njoftim të mëparshëm, thuhej se vlera e parashikuar vjetore e këtij projekti është rreth 1 milion euro.
Referuar zyrtarëve nga klasa e parë deri në të pestën janë mbi 13 mijë nxënës.
Derisa një premtim i tillë nuk është përmbushur, përfaqësues të opozitës në Prizren, disa herë kanë hedhur kritika ndaj qeverisjes komunale, për paaftësi sa i përket përmbushjes së premtimeve të dhëna. Sipas tyre më keq sikur vitin e kaluar kur ishin 6. 8 milion euro, edhe këtë vit ka tepricë buxhetore deri në 6 milion euro. / GazetaePrizrenit.net /