Kuçi deklarohet i pafajshëm në Hagë: Hashimin e kam mik, kemi punuar e udhëhequr mbi parimin e drejtësisë
Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e parë të hënën para Gjykatës Speciale, rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij.
Kuçi tha se ka besim të plotë se do të lirohet nga akuzat për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.
Ai shtoi se me ish presidentin Hashim Thaçi kanë miqësi dhe kanë punuar bashkë, por gjithmonë siç tha ai, mbi parimin e drejtësisë, raporton Sinjali.
“Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim dhe reputacionit tim. Nuk do të zhgënjej askënd, as ju e as drejtësinë. Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuza.
Hashimin e kam mik, kemi punuar gjatë dhe kemi punuar e udhëhequr mbi parimin e drejtësisë. Puna ime është identifikuar në funksion të drejtësisë dhe jo në mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës, çfarë thotë aktakuza.
Drejtësia për mua është mision dhe profesion. Besoj se të gjithë në këtë sallë jemi në anën e drejtësisë.” – tha Kuçi, raporton Sinjali.