Kujtohet Ukshin Hoti në 20-vjetorin e zhdukjes
Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por dhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.
Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO-ja.
Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut, shkruan ksp.
Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.
Human Rights Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.
Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.
Për nder të veprës së veprimtarit Ukshin Hoti, sot në ora 16:00 në Institutin Albanologjik mbahet tryezë përkujtimore.