13-09-2026

Vdes një person në vetaksident afër Suharekës

Sot, më datën 13.09.2026, rreth orës 16:20, ka ndodhur një vetaksident trafiku në rrugën e transitit, në Shirokë të Suharekës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas të dhënave fillestare, deri te aksidenti ka ardhur pasi ngasësi, për shkaqe ende të panjohura, ka humbur kontrollin mbi automjetin, me ç’rast automjeti ka dalë nga rruga.

Rastin e konfirmoi për Gazetën e Prizrenit, Shaqir Bytyçi zëdhënës rajonal i Policisë në Prizren.

“Si pasojë e aksidentit, ngasësi ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa tre pasagjerët, një grua 49-vjeçare dhe dy fëmijë, kanë pësuar lëndime të lehta. Rreth orës 20:40, nga Spitali Rajonal i Prizrenit është njoftuar se ngasësi (P.K. 49 vjeçar) nga Hoça e vogël e Rahovecit, si pasojë e lëndimeve të marra në aksident, ka ndërruar jetë”, tha ai.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ka menaxhuar situatën dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në konsultim dhe koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente. / Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.