03-12-2024

Kur do të hapet rruga e bllokuar te transiti i ri në Prizren?

Pronari i shtëpisë, Faik Kryeziu, është i gatshëm që të kontaktoj me drejtuesit e komunës së Prizrenit, për zgjidhjen e problemit të rrugës së tranzitit.

Me 20 Prill të vitit 2013. kishin filluar punimet në realizimin e projektit të tranzitit nga komuna e Prizrenit, e një pjesë e projektit jo të plotë ishte përuruar dy vite më pas nga ish qeveria lokale. Projekti nuk është përfunduar në tërësi, pasi pronari i një shtëpie që ishte paraparë të rregullohet rruga, Faik Kryeziu, nuk kishte arritur marrëveshje për kompensim të pronës.

Ai, thotë se ish pushteti në Prizren, nuk i ka ofruar atij asgjë konkrete, përkundër disa takimeve që ka pasur me zyrtarë të lartë komunal dhe kuvendarë.

I kontaktuar nga TV Prizreni, kuvendari i PDK-së, Alush Shala, thotë se me pronarin e kësaj shtëpie ka patur disa takime jozyrtare në të kaluaren, dhe tha përmes telefonit se kjo çështje duhet të zgjidhet shpejtë dhe drejtë, duke dhënë kompensim meritor për pronarin Kryeziu dhe projekti të përfundoj në tërësi në dobi të qytetarëve.

Ndërkaq, zotëri Kryeziu, thotë se për këtë çështje ka pasur kontakte edhe me kryetarin e ri të komunës, Mytaher Haskuka, por deri më tani nuk ka patur asnjë takim konkret me atë.

Ai thotë të jetë i gatshëm për të biseduar , nëse atij i ofrohet ndonjë ofertë serioze, dhe se ai është i interesuar edhe vet që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Në anën tjetër, i gatshëm për t’u angazhuar në realizimin e tërësishëm të projektit duke zgjidhur këtë kontest me pronarin, u shpreh edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Se çfarë epilogu do të marrë ky kontest për realizimin e një projekti të rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e komunës së Prizrenit, mbetet të shihet. Interesimi dhe vullneti për zgjidhjen e problemit ekziston, andaj besohet në gjetjen e ndonjë formë të duhur./tvprizreni.com/

 

Asnjë koment

Comments are closed.