24-11-2024

Kur pritet zgjedhja e drejtorëve të shkollave në Prizren?

Emrat e drejtorëve të shkollave fillore dhe atyre të mesme në Prizrenit pritet të publikohen javën e ardhshme, kur edhe fillon procesi mësimor, për vitin e ri shkollor. Kështu kanë njoftuar autoritetet më të larta lokale, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Duket se  përzgjedhja e drejtorëve, në konkursin e parë,  që fillimisht u bë në përmbyllje të vitit shkollor, por më pas u ndalua nga ana e Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, do të merr fund në fillim të vitit të ri shkollor.

Gjatë kësaj jave është bërë intervistimi i kandidatëve konkurrues. Haskuka ka njoftuar se faza e intervistimeve përfundon të premten, ndërsa rezultatet e tyre do publikohen gjatë javës së ardhshme.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, komisioni vlerësues ka bërë validimin e dokumentacionit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë për 37 shkolla në komunën tonë. Këto ditë janë duke u bërë intervistimet e kandidatëve, para dy komisioneve vlerësuese dhe monitoruesve nga Sindikata e Arsimit, Shoqëria Civile dhe dy monitorues nga zyra e kryetarit”, ka shkruar ai në facebook, percjell “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari ka shkruar se kandidatët për pozitën drejtorë (32 për shkolla fillore, 3 të mesme), dhe 2 për pozitën zëvendësdrejtorë nga komunitetet, para komisionit kanë prezantuar planin e tyre zhvillimorë, vizionin për shkollën ku konkurrojnë si dhe aspektet tjera për avancimin e arsimit.

Ndryshe, opozita në Prizren e ka kritikuar anulimin e Konkursit për drejtorë dhe zv/drejtor nga ana e Haskuka.  Simir Krasniqi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, që përbën më të madhin në Kuvendin Komunal  të Prizrenit, ka thënë se “dështimi i kësaj qeverisjeje ka nisur me përzgjedhjen e drejtorëve dhe anulimit të konkursit për pazare politike të koalicionit”./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.