Kurti nuk paraqitet në prokurori, me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, para mediave ka thënë se tashmë janë informuar nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti që ai nuk mund të paraqitet sot në prokurori pasi që ai gjendet në një udhëtim jashtë vendit.
“Siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim për një rast penal. Sot nga kabineti i kryeministrit prokuroria është informuar se kryeministri Kurti, gjendet në një udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër”, ka thënë Kozmaqi.
Ndryshe Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës.
Ndonëse vetë kryeministri Kurti nuk eka komentuar këtë thirrje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka shkruar në Facebook se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tashti përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.