Kurti para tri viteve: Me qeverisjen e LV-së do të lirohet nafta dhe do të hiqen xhipat e shtrenjtë
Tri vite më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që atë kohë ishte në opozitë, kishte reaguar ashpër për rritjen e çmimit të naftës.
Ai kishte premtuar se më ardhjen e tij në pushtet do të hiqen xhipat e zinj dhe do të lirohej nafta për qytetarët.
Por, me ardhjen në pushtet të Kurtit, çmimi i naftës ka arritur në 1 euro e 27 centë, dhe xhipat e zinj ende vazhdojnë të qëndrojnë në shfrytëzim për kryeministrin.
“Që prej shpalljes së pavarësisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrenjtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë. Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr. Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari”, kishte shkruar Kurti në rrjetet sociale para tri viteve. /Epoka e Re