06-10-2026

Kurti për dhunën ndaj protestuesve: Disa raste janë dërguar në Inspektoratin Policor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për përdorimin e dhunës nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve mbrëmë, ka thënë se disa raste tashmë janë dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës për të vlerësuar nëse ka pasur sjellje të tepruar nga ndonjë zyrtar policor.

Kurti tha se nuk i di hollësitë e protestës dhe momentin kur policia ka ndërhyrë, ndërsa theksoi se, sipas tij, policia është treguar më tolerante dhe profesionale krahasuar me protestat që ai ka organizuar vite më parë.

“Sa i përket protestave, unë mbrëmë, deri pas mesnate, kam qenë këtu në Kuvendin e Republikës. Çdo herë kur janë mbajtur protestat, këtu kam qenë – ose në Kuvend, ose në Qeveri. Asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër. Dhe nuk i di hollësitë e protestave, nuk e di se cili është momenti kur policia ndërhyn apo nuk ndërhyn, çfarë bëjnë protestuesit më herët, por e di që tashmë janë dërguar edhe disa raste në Inspektoratin Policor, për të parë nëse ka pasur ndonjë sjellje të tepruar të ndonjë polici. Por, nëse ju i shikoni xhirimet e sjelljes së policëve, tash ka shumë më shumë xhirime se para 15 vjetësh, kur unë i organizoja protestat. E shihni që policia është jashtëzakonisht më tolerante dhe profesionale”, tha ai.

Asnjë koment

Comments are closed.