25-11-2024

Kurti: Qeveria e përkushtuar për mjedis të favorshëm për biznese

Kryeministri Albin Kurti ritheksoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë së Kosovës për të ofruar mjedis të favorshëm për të bërit biznes. Ai këtë deklaratë e bëri në hapjen e përfaqësisë në Kosovë të kompanisë prestigjioze zvicerane “Selise” në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.

Zgjerimi i kësaj kompanie me përfaqësi në Kosovë, u vlerësua si dëshmi shtesë për potencialin gjithnjë në rritje të sektorit tonë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj transformimit digjital.

Në takimin me kryetarin e Bordit dhe drejtorin e kësaj kompanie, Kurti tha se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë kosovare, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

Kryeministrit tha se Qeveria synon që avantazhet e digjitalizimit të arrijnë në çdo cep të Kosovës, e të mos lënë askënd mbrapa, duke veçuar lidhjen e fshatit të fundit me internetin brezgjerë gjatë këtij viti.

“Qeveria jonë është e përkushtuar për zhbllokimin e rritjes së mëtejshme brenda këtij sektori, duke u përafruar ngushtë me agjendën ambicioze për transformimin digjital në administratë publike, arsim, shëndetësi dhe ekonomi”, tha kryeministri Kurti.

Duke theksuar angazhimin e Qeverisë, Kurti veçoi trajnimin e më shumë se 3500 të rinjve në fushën e TIK, ofrimin e kuponëve të trajnimit për më shumë se 900 të rinj, ndarjen e 1 milion euro për bursa për vajzat që ndjekin studimet në fushat STEM në vitin 2021, si dhe dyfishimin e këtij buxheti në 2 milionë.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, me mbi 50 objekte, i shtrirë në një hapësirë prej mbi 40 hektarësh, u vlerësua si gurthemel i ekosistemit të inovacionit në vend.

U theksua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që po investon 8 milionë euro në ITP, me qeverinë gjermane, e cila ka investuar 5 milionë euro, në zhvillimin e infrastrukturës së këtij parku.

Duke biseduar për investimet tjera në ekosistemin e inovacionit, u veçua inaugurimi i Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë, transmeton RTKlive.

 

Asnjë koment

Comments are closed.