16-10-2026

Rekomandohet suspendimi i 3 policëve në Prishtinë, një gruaje i dhanë urdhra për veprime seksuale

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë, tre nga Stacioni Policor Jugu në Prishtinë dhe dy nga Stacioni Policor në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të IPK-së, tre zyrtarët policorë në Prishtinë dyshohen për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.

 

Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026, pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë. Më pas, sipas ankesës, ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.

Lidhur me rastin, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara.

IPK-ja ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprime të tjera hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe pretendimeve të ngritura.

Dy policë të tjerë dyshohen për keqpërdorim të pozitës në Gjilan

Në rastin tjetër, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

 

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kishin ndaluar një qytetar dhe e kishin futur në veturën zyrtare. Gjatë kësaj kohe, pretendohet se ndaj tij ishte ushtruar abuzim verbal dhe i ishte cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit pa urdhër të Prokurorisë së Shtetit.

Dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara mund të ndërlidhen me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë, nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.

IPK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe forcimit të integritetit policor.

Asnjë koment

Comments are closed.