16-09-2021

Kurti tha se e gjetën AUV-in me 17 inspektorë, Zemaj thotë se vetë Qeveria i kishte larguar nga puna 95 inspektorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë dje para mediave se Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë e kanë gjetur me 17 inspektorë, dhe se ata do të punësojnë edhe 85 inspektorë, në mënyrë që të mbikëqyret zbatimi i masave Anti-COVID.

Mirëpo, ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e LDK’së, i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka thënë se Qeveria Kurti i ka larguar në qershor nga puna 95 inspektorë të AUV’it.

Ai ka thënë se ndërprerja e kontratave të tyre është bërë me arsyetimin se pandemia ka marr fund dhe nuk ka nevojë për kosto buxhetore.

“Në qershor i kanë larguar nga puna 95 inspektorë, ju kanë ndërprerë kontratat që kanë qenë në mbikëqyrje të masave. Me këtë arsyetimin banal që pandemia mori fund dhe nuk ka nevojë për kosto buxhetore dhe kosto shtesë”, ka thënë ai.

Si pasojë e largimit të tyre nga puna, Zemaj ka thënë se nuk janë mbikëqyrur masat Anti-COVID.

Ndërsa, sipas tij, deklarata e djeshme e Kurtit se kjo është gjithçka çfarë kanë mundur të bëjnë është dorëzim para situatës së krijuar.

“Çka ka sjellë kjo, ka sjellë mosmbikëqyrje të masave, është krijuar klima e asaj qasjes gjoja të ruajtjes së shëndetit ekonomik, po që dëmi i shëndetit publik është trefishuar-katërfishuar, kjo do të sjellë edhe pasoja të ashpra ekonomike. Kjo është logjika e udhëheqjes. Dje del dhe pa pardon thotë kjo është gjithçka çfarë kemi mundur të bëjmë, kjo është një lloj dorëzimi para situatës, para pacientëve, ekspertëve, familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre”, ka shtuar ai

Asnjë koment

Comments are closed.