Kurti tha se kryetari i Skenderajt tentoi ta godiste veturën e tij, reagon Lushtaku: Rrenc, privatisht do të merrem me të
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar lidhur me sulmin që ndodhi në Skenderaj disa ditë më parë, ku u akuzua kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, për sulm ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani dhe aktivistin Bahri Zabeli.
“Me datën 31 janar të vitit 2025, u synua pamundësim i tubimit të LVV-së në Skenderaj. Kjo ishte në fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kryetari i Komunës së Skenderajt me veturë zyrtare ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën zyrtare. Aty kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja ime e afërt. A mendoni se ka pasur diçka me dikë prej truprojave të mija, vetëm atëherë do të mund të themi se ka pasur me mua. Më pastaj ka proces policor për këtë por nuk është arrestuar për këtë ndonëse ka pasur tentim për të shkaktuar rrezik”, ka thënë Kurti në KTV.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ai ka thënë se nuk ka lidhje më këtë rast, duke thënë se do të merret personalisht me Kurti qoftë edhe përmes padive.

“Unë e di që Kurti është edhe mashtrues edhe rrenc, dhe kjo nuk i bën nder atij”.
“Vetëm Kurti nëse ka frikë nga vetvetja, sepse unë lidhje nuk kam me atë rast. Ai ka qenë me eskortën, dhe unë ka dalë nga pompa e benzinës, janë kamerat dhe nuk është mirë me u sjëllë në këtë mënyrë”, ka thënë Lushtaku në T7.

