25-11-2024

Kush do ta marrë kujdestarinë e fëmijëve të Liridona Ademajt?

Liridona Ademaj dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Të paktën kështu thonë hetimet fillestare të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Dy fëmijët e saj, njëri 4 dhe tjetri 6 vjeç, ishin prezentë në momentin kur vetura me të cilën po udhëtonin u ndalua nga Granit Plava i cili dyshohet se e privoi nga jeta nënën e tyre, raporton Kiks Kosova.

Të dy djemtë e kanë marrë historinë e treguar nga babai si të vërtetë – makina e tyre u ndalua nga plaçkitësit dhe nënën e tyre e harruan aty.

Aktualisht fëmijët gjenden në shtëpinë e familjes Murseli dhe nën përkujdesjen e gjyshërve.

Ata ende nuk e dinë se nëna e tyre nuk jeton më.

liridona ademaj

Mirëpo, çfarë do të ndodh me fatin e dy djemve, tashmë të mbetur pothuajse pa asnjërin prind?

Të dy këta fëmijë kanë vetëm shtetësi suedeze dhe pyetja e secilit është: cilat janë politikat suedeze në raste të tilla?

Qendra për punë sociale në Gjakovë është duke zhvilluar vizita të përditshme në shtëpinë e Shaban Murselit (babait të Naimit) por, sipas tyre, ata nuk mund t’ua tregojnë të vërtetën fëmijëve meqë ata flasin vetëm gjuhën suedeze.

Nga ky institucion kanë thënë se gjendja e tyre është stabile, por nuk kanë pranuar të japin detaje.

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale ka bërë thirrje që sa më parë fëmijët të dërgohen në Suedi meqë sipas tyre, aty do të mund t’i marrin të gjitha shërbimet e duhura.

Ndërkaq, lidhur me vendimin se cilës familje do t’i përket kujdestaria e dy fëmijëve, drejtori i këtij instituti, Vebi Mujku, ka thënë se për këtë vendosë Gjykata pasi t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

Në anën tjetër, ekspertët e shëndetit mendor, thonë se ngjarjen të cilën e kanë përjetuar fëmijët do të lë pasoja të mëdha.

Dorjan Krasniqi, psikolog për fëmijë, ka thënë se situata të tilla janë të rënda për t’u pranuar nga fëmijët, e sidomos kur ta kuptojnë se babai, i cili do duhej të ishte mburojë për ta, e ka privuar nga jeta nënën e tyre.

Krasniqi ka shpjeguar në detaje për pasojat që mund të kenë fëmijët në të ardhmen.

“Nëse ngjarja ka ndodhur natën, mund ta kenë të vështirë që të dalin natën në vendet ku ata nuk ndjehen të sigurt. Çdo gjë që ju kujtohet në momentin tragjik mund ta rrisë stresin traumatil”.

Ndërkaq, sipas sociologut Genc Xërxa, ka thënë se institucionet relevante duhet të angazhohen maksimalisht për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve.

Kujtojmë se Kosova ka pasur gjithmonë problem me entin për mirëqenie të fëmijëve pa përkujdesje për shkak të mungesës së mekanizmave dhe politikave adekuate. /Klankosova.tv

Asnjë koment

Comments are closed.