23-11-2024

Kush është Naim Qelaj, i sapo zgjedhur Avokat i Popullit?

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë për gati tre muaj kishte mbetur me ushtrues detyre, pasi Hilmi Jasharit i kishte përfunduar mandati më 2 korrik. Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur Naim Qelajn në krye të këtij institucioni.

Qelaj kishte mbetur i vetëm në garën për t’u zgjedhur Avokat i Popullit. Ai tani është zgjedhur që për 5 vjet ta drejtojë këtë institucion.

Naim Qelaj me profesion është avokat dhe për një periudhë të gjatë këtë profesion e ka ushtruar në Prizren.

Më 5 dhjetor të vitit 2017, kur Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, Qelaj ishte emëruar zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Përveç pozitës së zëvendësministrit, Qelaj gjatë Qeverisë Haradinaj ishte edhe Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje

Naim Qelaj ndryshe njihet si avokati i cili për disa vite e kishte përfaqësuar Shyhrete Berishën nga Suhareka. Familja e Shyhrete Berishës, familja e së cilës ishte vrarë gjatë kohës së luftës nga forcat paramilitare serbe e kishte paditur familjen e bashkëshortit të saj të ndjerë për ta realizuar të drejtën e saj në trashëgiminë e tij.

Për Naim Qelajn mbahet në mend një rast kur para dy vitesh, në nëntor të vitit 2018 e kishte anuluar pjesëmarrjen në Forumin rajonal “Promovimi dhe Implementimi i Konventës së Stambollit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” që mbahej në Shkup, pasi organizatorët mbishkrimeve të përfaqësuesve të Kosovës u kishte vënë fusnotë.

Qelaj thoshte se nuk do të merrte pjesë në atë forum pa emërtimin e plotë të Kosovës si shtet i barabartë me vende tjera pjesëmarrëse.

“Pres nga organizatorët të veprojnë dhe të na mundësojnë pjesëmarrjen tonë me evitimin e fusnotës ose të shënohet edhe mendimi i GJND së dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, kisshte thënë ai.

Avokati i Popullit është njëri ndër institucionet garant të demokracisë, shtetit ligjor dhe i të drejtave të njeriut. Rekomandimet nga ky institucion synojnë të sjellin përmirësime në standardet dhe në cilësinë e shërbimeve të autoriteteve publike ndaj qytetarëve.

Asnjë koment

Comments are closed.