Së paku katër ankesa nga kandidatët që kanë konkurruar në konkursin për drejtorë dhe zëvendës drejtor të shkollave, që tashmë është anuluar i janë drejtuar Komisionit për ankesa dhe parashtresa që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.
Ndonëse, vetëm një javë pas shpalljes së rezultateve, konkursi është anuluar nga ana e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, kjo nuk i ka penguar disa konkurrentë që kanë pretenduar se ndaj tyre janë bërë padrejtësi për të parashtruar ankesa.
Deri tash, së paku ka katër raste të ankimimit, por burime të afërta me komisionin për ankesa, që preferuan të mbeten anonim, thanë për portalin “gazetaeprizrenit.net”, se komisioni është në dilemë për siç thuhet rreth asaj, nëse është bërë apo jo anulimi i konkursit.
Një ankesë ka të bëjë me shkollën në Medvec, ndërsa një kandidat tjetër, tha se është çuditur kur në listën e rezultateve nuk e ka parë emrin e tij, pasi ai pretendon se ka pasur pikë më shumë se konkurrentët tjerë.
Lumnije Rakaj, drejtoreshë në shkollën e Ortakollit, ka thënë se ankesën e ka të gatshme nga dita e publikimit të rezultateve të konkursit, por që nuk e ka dorëzuar pas shpalljes së vendimit për anulimin e tij.
Në Komisionin për ankesa e parashtresa, thanë se nuk janë lëshuar të japin ndonjë përgjigjje, pasi janë në dilemë se çfarë po ndodh me konkursin.
Afati ligjor për paraqitjen e ankesave është deri me 22 korrik 2018, pra një muaj pas shpalljes së rezultateve të konkursit./gazetaeprizrenit.net/