Kush po kundërshton zgjedhjen e dekanit në Universitetin e Prizrenit?
Kur Universiteti Publik i Prizrenit, “Ukshin Hoti” shpalli konkurs për Dekan të Fakultetit të Filologjisë, profesori Shkelqim Millaku ishte shprehur i pakënaqur, pasi sipas tij, ishte shkelur statusi duke u lejuar kandidim edhe atyre personave që kanë gradën e ‘profesorit asistent’.
Mirëpo, pavarësisht kritikave për shkelje të statutit që dha, Shkelqim Millaku ka arritur të bëhet Dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prizrenit.
Por, tani Millaku po kritikohet nga anëtarët e Këshillit të këtij fakulteti. Sipas tyre, Senati e ka miratuar propozimin e Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, përkundër faktit që Millaku nuk kishte arritur të fitojë votat e mjaftueshme për të qenë kandidat i ligjshëm për t’u zgjedhur Dekan i Fakultetit të Filologjisë.
‘Vendimi dhe procedurat e Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit të Filologjisë në mbledhjen e mbajtur më 26 prill 2018 është në kundërshtim me ligjin dhe me format dhe procedurat e parapara me Statutin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren’, thuhet në ankesën e këtij këshilli, shkruan Indeksonline.
Në letrën e anëtarëve të Këshillit të Fakultetit të Filologjisë drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, thuhet se senati nuk ka pasur të drejt të hedh në votim propozimin e Këshillit të Filologjisë, për nominim të kandidatit për dekan.
Sipas tyre, Shkelqim Millaku nuk ka arritur që ta fitojë shumicën relative të votave për të qenë kandidat i ligjshëm për t’u nominuar për Dekan të Fakultetit të Filologjisë.
Parashtruesit e ankesës, i kanë propozuar Komisionit Qendror Zgjedhor të Universitetit që të marrë vendim për anulimin e vendimit, për të siguruar një proces të ligjshëm dhe meritor.
Por, të gjitha këto akuza për shkelje të statutit për zgjedhjen e dekanit, po i hedh poshtë profesori dhe dekani Shkelqim Millaku. Ai për Indeksonline ka thënë se ankesat e anëtarëve të këshillit janë tendencioze dhe politike.
Sipas tij, në procese zgjedhore ka edhe të pakënaqur, duke treguar emrat e atyre që janë ankuar ndaj tij.
“Zakonisht në procese zgjedhore ka edhe të pakënaqur. Por, sot jam i informuar se tre anëtarë të Këshillit të Fakultetit paskan bërë ankesë ndaj zgjedhjes sime dekan (në bazë të informacioneve ankuesit janë: prof.ass.dr. Vjollca Dibra, prof.ass.dr. Sejdi Sejdiu dhe prof.ass.dr. Flamur Shala). Ankesa e tyre padyshim se duhet të jetë tendencioze dhe politike”, ka thënë Millaku.
Ai duke iu kundërpërgjigjur ankesës se nuk i ka plotësuar kushtet, është shprehur se ka qenë i vetmi që ka plotësuar kushtet juridike dhe se nuk ka pasur kundërkandidat për këtë pozitë.
Mirëpo, Millaku ka pranuar se nuk ka pasur të drejtë të jetë në senatin e ri, por që ka konfirmim dhe vendim zyrtar nga KQZ-ja.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e para në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Publik në Prizren, pasi tani e katër vite më parë kanë pasur ushtrues detyre në këtë pozitë./Indeksonline/