Kushtetuesja do të punojë gjatë vikendit për llogari të Qeverisë së re
Lidhja Demokratike ka vendosur ta presë Aktgjykimin e plotë për mandatarin, përpara se të ndërmarrë nismën për seancën parlamentare në të cilën synon ta formojë Qeverinë e re. E me qëllimin që kjo pengesë t’i hiqet LDK-së, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta sakrifikojë vikendin.
Në Kushtetuese kanë treguar se më së largu të hënën, Aktgjykimi i plotë do të jetë gati, shkruan KOHA.
“Gjatë trajtimit të rasteve me prioritet dhe për shkak të rëndësisë që ka ky aktgjykim për zhvillimet aktuale në vend, gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojnë punën në finalizimin e përmbajtjes së plotë të aktgjykimit edhe gjatë ditëve të vikendit, kur edhe pritet të publikohet aktgjykimi (ose më së largu në fillim të javës së ardhshme)”, thuhet në një përgjigje që Kushtetuesja ia ka dhënë “Kohës Ditore”.
Nëpërmjet Aktgjykimit, përfundimet e të cilit i ka publikuar në orën 22:29 të së enjtes, Gjykata e ka shpallur kushtetues Dekretin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i propozuar i LDK-së, Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për ta formuar Qeverinë e re.