Koronavirusi: Prizreni ndër komunat më të prekura, sot dalin testet edhe për 32 persona

Në komunën e Prizrenit deri më tani janë identifikuar 134 raste me Covid-19, ku 54 prej tyre janë raste aktive, 75 të shëruar kurse 3 kanë përfunduar me fatalitet, derisa theksoi se sot janë bërë edhe 32 testime.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, thotë se përjashtuar 3 rasteve të gjitha rastet tjera janë në shtëpi në vetë izolim.

“Aktualisht janë 134 raste të infektuar në komunën e Prizrenit, nga ta 75 raste tash më janë të shëruar, ndërkohë që 3 fatkeqësisht kanë humbur jetë. Raste që vazhdojnë të jenë të hapura janë 54, që vazhdojnë të jenë të hapura apo pozitiv me virusin Covid-19”, thotë Shehu.

Ai në një intervistë ka theksuar se gjendja e të prekurve me virusin korona është stabile.

“Pjesa dërmuese, përjashtuar 3 rasteve që të gjithë janë në shtëpi në vetë izolim pa pasur nevojë për hospitalizim, përveç 3 rasteve të cilat janë në klinikën infektive në Prishtinë, megjithatë sipas informacioneve që kemi edhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, nuk kanë nevojë për ndonjë tretman po themi intensive apo tretman tjetër për veç se oksigjeno terapi”, deklaroi ai.

Shehu ndër të tjerash, thotë se në Komunën e Prizrenit, sot janë testuar edhe 32 persona për Covid-19, 28 prej tyre punonjës në rajonin Policor të Kosovës, kurse 4 të tjerë janë kontakte të të infektuarve ditë më parë.

“Sipas informacioneve që kemi nga qendra rajonale e shëndetit publik këtu në Prizren sot janë bërë gjithsej 32 testime, nga ta të gjithë janë gjurmime të kontakteve 28 janë punonjës të rajonit Policor të Kosovës, ndërsa 4 të tjerë janë kontakte të të infektuarve ditë më parë me virusin COVID 19”, thotë Shehu.

Shehu thotë se me lehtësimin e masave në fazën e dytë, qytetarët nuk i kanë përfillur rekomandimet e IKSHPK-së.

“Me fazën e dytë të lehtësimeve të masave që është bërë është vërejtur jo vetëm në komunën e Prizrenit por gjithandej, po themi një mos respektim i kufizimit të lëvizjeve dhe grumbullimeve të caktuara. Megjithatë që nga 1 qershori do të fillojë edhe faza e tretë e lehtësimeve sipas të gjitha gjasave…Në përgjithësi komuna e Prizrenit i ka respektuar masat por në kohen kur ka filluar lehtësimi i fazës së dytë kanë filluar të mos i respektojnë sa duhet”, thotë Shehu.

Kujtojmë se nga data 8 shkurt deri më 29 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 14.635 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.064 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese./Gazeta Express/