13-12-2024

Kuvendari Quni: Haskuka i Vetëvendosjes u bë kryetar i Prizrenit me votat e PDK-së

Të gjithë, jo vetëm në Prizren, por edhe më gjerë ishin befasuar, kur në momentet e fundit në votimet për balotazh në zgjedhjet e 2017-ës kishte ndryshuar rezultati, në të mirë të Mytaher Haskukës, kandidatit të Vetëvendosjes!, pas të cilave mori postin e kryetarit të Komunës së Prizrenit.

Me një diferencë të ngushtë, apo vetëm 262 vota, ai kishte fituar ndaj Shaqir Totajt të PDK-së, që në rrethin e parë zgjedhor, kishte marrë rreth 5 mijë vota më shumë se Haskuka, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

PDK, në ato zgjedhje po ashtu kishte fituar edhe numrin më të madh të asambleistëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 13 kuvendarë, që përbënte jo vetëm partinë më të madhe, gati dyfish më shumë ulëse se Vetëvendosja që doli e dyta me shtatë kuvendarë, por PDK që nga formimi nuk kishte marrë kaq shumë vende në asamblenë lokale.

Në Prizren, që nga atëherë jozyrtarisht qarkullojnë fjalë se pikërisht njerëz brenda partisë së tij e kishin tradhtuar Totajn, i cili bukur shumë e kishte përmirësuar imazhin e PDK-së.

Për dyshimet e tilla foli edhe anëtari i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit nga Nisma Socialdemokrate, Shukri Quni, partia e të cilit është në koalicionin qeverisës komunal, të udhëhequr nga Haskuka, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Quni,  që deri në fund të vitit të kaluar ishte kuvendar i PDK-së,  ka deklaruar në mbledhjen e fundit të KK-së se është i bindur që Haskuka ka fituar,  në saje votave të PDK-së.

Gjatë seancës së KK-së derisa shfaqi pakënaqësi për siç tha injorancën e drejtorëve komunal, ndaj anëtarëve të Kuvendit, ai ka thënë se janë dy njerëz që duhet varur në qendër të Prizrenit, për shkak të fitores së Haskukës.

“Nëse dikush duhet të varet në ‘Shatërvan’ pse sot Haskuka është në pushtet, me vetëm 262 vota më tepër, është Zafir Berisha (kryetar i Nisma-s) dhe Lulzim Kabashi (kryetar i AAK-së), të cilët kanë qenë luftëtarë, veprimtarë dhe kanë kontribuuar në politikë, por nuk kanë bashkëpunuar për ta penguar këtë ”, tha ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.