27-07-2024

Kuvendari Quni kritikon rëndë drejtorët e Haskukës

Gati po bëhen dy vjet, kur kanë nisur të punojnë në ekzekutivin lokal të Prizrenit, por disa drejtorë të Komunës së Prizrenit, njëherësh këshilltarë të kryetarit Mytaher Haskuka, nuk po ia mbushin shumë syrin njërin prej asambleistëve më të vjetër të Prizrenit.

Anëtari i Kuvendit Komunal (KK) nga Nisma Socialdemokrate, Shukri Quni, partia e të cilit me tre drejtorë është në koalicionin qeverisës komunal, ka qenë i drejtpërdrejtë në kritika derisa ka bërë krahasim të drejtorëve aktual, me kohën kur komunën e drejtonte Eqrem Kryeziu.

“Po të ishte Eqa kryetar, disa prej jush s’do t’i linte të hyjë as në komunë”, u ka thënë Quni, gjatë seancës së fundit të KK-së, pa përmendur emra konkretë,  shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në këtë kontekst ai ia ka kujtuar drejtorit për Kulturë, Rini e Sport, Ehat Oreshkës, që vjen nga partia e tij, se pikërisht festivali “Zambaku i Prizrenit”,  që ishte mbajtur edhe gjatë okupimit serb në vitet 90-ta, nuk ishte mbajtur vitin e kaluar.

Quni shfaqi pakënaqësi për siç tha injorancën e drejtorëve komunal, ndaj anëtarëve të Kuvendit në rastin e pyetjeve të bëra nga kuvendarët.  /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.