03-05-2024

Kuvendari Quni: Shkollat e Prizrenit po humbin shumë orë mësimore

Anëtari i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit nga Nisma Socialdemokrate,  Shukri Quni ka ngritur çështjen e mungesës së mësimdhënësve,  që gjatë dy muajve të parë të këtij viti shkollor është reflektuar në humbjen e orëve mësimore në arsimin parauniversitar të komunës.

Në seancën e djeshme të KK-së Quni ka parashtruar pyetje në adresë të drejtoreshës për Arsim në Prizren, dhe kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka se çfarë do të ndodhë me rreth 1. 200 orë të humbura mësimore, në shkollat të cilat përmes konkursit patën kërkuar personel mësimor,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas tij, në institucionet shkollore mungojnë 76 mësimdhënës, ndërsa nuk dihet se si mund të bëhet kompensimi i orëve të humbura.

Quni ka thënë se disa shkolla janë duke bërë përpjekje për ta zëvendësuar mungesën e arsimtarëve, por ai ka pyetur se sa e mundur dhe e efektshme mund të jetë kjo?.

Ndryshe, në fillim të këtij viti shkollor, kryetari Haskuka për siç ka deklaruar  parregullsitë në Konkursin për personelin arsimor e anuloi atë, ndërsa shkarkoi nga detyra drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizajn, që përfaqësonte Nismës Socialdemokrate.

Siç ka mësuar gazeta, pas këtij veprimi një numër i mësimdhënësve ka kërkuar interpretim ligjor duke ju drejtuar organeve të drejtësisë.  /GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.