30-07-2026

Kuvendarja Alishani pretendon: Anëtari i komisionit për subvencionet i ndau edhe vetes mjete nga Komuna

Kuvendarja opozitare në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Dafina Alishani nga LVV, në seancën e sotme ngriti shqetësime dhe kërkoi llogari për subvencionet e ndara për kulturën në Komunën e Prizrenit. Ajo tha se ka pasur keqpërdorime dhe pretendoi se disa anëtarë të komisionit kanë ndarë subvencione për familjarët e tyre, përcjell Gazeta e Prizrenit.

“Ka anëtarë të komisionit për ndarjen e subvencioneve, të cilët i kanë ndarë vetes subvencione. Si ka mundësi që anëtari i komisionit t’i japë familjarit subvencion? Janë në pyetje 800 mijë euro. Paraja publike po keqpërdoret. Për këtë kërkoj të vijë të deklarohet Komisioni për Vlerësim. Ndërsa tash nuk po marrin përgjegjësi as kryetari as drejtoresha”, ka pyetur Alishani, pa përmendur emra.

Sipas saj, Kryetari i komunës ka bërë festival për qejf, ndërsa për këtë janë dhënë mjetet, ndërsa për të tjerat jo. Alishani pyeti si ka mundësi të ndodhë kjo?

Kësaj i është përgjigjur kryesuesi i Kuvendit Komunal, Simir Krasniqi, i cili tha se deklarimi i komisionit para Kuvendit, nuk është obligim ligjor dhe propozimin e hodhi në votim si pikë të rendit të ditës.

Propozimi i Alishanit nuk mori votat e nevojshme nga anëtarët e Kuvendit Komunal./ Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.