Kuvendarja Bytyqi: Është turp që Prizreni të jetë i papastër derisa vlon nga turistët
Derisa qytetarët herë pas herë ankohen dhe nëpër rrjete sociale postojnë foto për praninë e mbeturinave nëpër qytet, për mungesën e duhur të higjienës tashmë po flasin edhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin Komunal (KK).
Kuvendarja e Nismës Socialdemokrate në Prizren, Lirije Bytyqi, partia e të cilës është në koalicionin qeverisës lokal të Mytaher Haskukës, ka kritikuar Komunën për papastërtinë që është krijuar në qytet.
“I kam parë disa turisë, të cilët derisa po fotografoheshin në qendër i largonin mbeturinat përreth”, ka thënë në mbledhjen e fundit të KK-së ajo, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Bytyqi e ka vlerësuar si turp për Komunën që Prizreni të jetë i papastër, sidomos tash kur qyteti vlon nga vizitorë dhe turistë të huaj.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ndërkaq mungesën e higjienës në qytet e ka arsyetuar me çështjet e tenderit përkatës në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Ndryshe, Prizreni pas luftës është vlerësuar si qyteti më i pastër në nivel vendi. /GazetaePrizrenit.net /