Shkruan: Qazim MORINA / 12.04.2019
PDK në Prizren, të shtunën në Kuvendin zgjedhor të degës, do ta zgjedhë kryetarin e ri për mandatin e ardhshëm.
Kuvendi është një pikëkthese, jo vetëm për këtë subjekt, por edhe të ardhmen e Prizrenit. Kjo për atë se, këtu nuk zgjedhet vetëm kryetari i degës më të fuqishme në Prizren e Dukagjin, por ai shihet edhe si pretendenti kryesor, e mbase edhe kryetar i ardhshëm i Prizrenit.
PDK është partia më e madhe politike në Prizren, megjithëse pas zgjedhjeve të vitit 2017 mbeti në opozitë. Ky subjekt ka numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 12, apo 5 më shumë se sa Vetëvendosje!, që për shkak të postit të Kryetarit të Komunës, drejton qeverisjen lokale.
Deri tash Prizreni ishte një “ishull politik” i PDK-së, i rrethuar nga komunat fqinje të menaxhuara nga AAK, që qeverisë në Suharekë, Rahovec e Gjakovë. Në Sharr (ish-Dragash) ndërkaq AAK është në bashkëqeverisje me PDK-në.
Zgjedhja e kryetarit të degës është testi i dytë për PDK-në, që tregon se ky subjekt është përcaktuar për ndryshimin e diskursit të qeverisjes. I pari është treguar në zgjedhjet e fundit komunale (2017), që përkundër konsumimit dhjetëvjeçarë në pushtet, PDK u paraqit mirë në skenën politike, meqë si subjekt fitoi numrin më të madh (13 nga 41) të anëtarëve të KK-së, me disa emra të rinj.
Po ashtu, sukses tjetër konsiderohet edhe kandidimi i një kuadri jashtë strukturave të saj, Shaqir Totajt, i cili dukshëm pati përmirësuar imazhin e luhatur të PDK-së në Prizren, duke tejkaluar edhe pritshmërinë, meqë në rrethin e parë doli fitues me një diferencë prej mbi 5 mijë votash, ndaj konkurrentit të dytë (pjesë e opozitës).
Përkundër koalicionit të gjerë të krijuar kundër PDK-së në balotazh, Totaj humbi me një diferencë tepër të ngushtë (rreth 260 vota), më të voglën, që është parë deri tash në këtë komunë.
Ditë më parë Totaj, që është pretendenti kryesor për kryetar, ka deklaruar se gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, ka vërejtur një potencial të fshehur brenda këtij subjekti, apo persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë të tjerë me integritet, paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative për Prizrenin.
Përveç tij, sigurisht në Kuvendin zgjedhor do të ketë edhe pretendentë të tjerë, për postin e të parit të degës. Para kryetarit të ardhshëm shtrohen sfida serioze në menaxhimin e strukturave të dala nga zgjedhjet e reja, pastaj “ngjalljen” e aktivitetit të mirëfilltë opozitar, që i ka munguar PDK-së, gjatë kësaj kohe të qëndrimit në opozitë.
Rrugëtimi është i rëndësishëm, aq më tepër, pasi me gjasë, kryetari i ri i degës së PDK-së do të jetë edhe kandidat për Kryetar të Komunës në zgjedhjet e ardhshme, të cilat parashihen të mbahen në tetor 2021.
Për këtë, ai duhet të ketë prioritet afrimin rreth vetes të profesionistëve nga fusha të ndryshme, veprimi i të cilëve është i domosdoshëm për t’i dhënë kontribut komunës, qeverisja aktuale e të cilës, jo vetëm që nuk e përmbushi pritshmërinë qytetare, por duket se i mungon kreativiteti dhe profesionistët e duhur, për të kontribuuar në realizimin e detyrave, të cilat rrjedhin nga ligjet për qeverisjen lokale.
Nga kryetari i ri i degës, pritet edhe formimi sa më i shpejtë i komisioneve profesionale, jo vetëm për t’i paraqitur dobësitë e qeverisjes aktuale lokale, por edhe duke dhënë ide për tejkalimin e tyre në të mirë të qytetarëve.
Në këtë kontekst, kryetari duhet të punojë ngushtë edhe për forcimin e opozitarizmit nga kuvendarët e PDK-së në KK, që përkundër kritikave të herëpashershme drejtuar pushtetit, deri tash më tepër linin përshtypjen për qëndrimet e tyre individuale se sa të një grupi të organizuar homogjen.
Më e rëndësishmja që kërkohet në këtë rast nga kryetari, është që të jetë tepër i kujdesshëm, në mënyrë që në trupat punues të mos caktojë njerëz të përfolur për keqpërdorime, përfshirë edhe ata në procese gjyqësore, angazhimi i të cilëve nuk do t’i jepte imazh të mirë lidershipit të PDK-së. /GazetaePrizrenit.net /