Kuvendi i Prizrenit do të mbajë seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi Komunal i Prizrenit, në fund të kësaj jave do të mblidhet për një  seancë të jashtëzakonshme

Mbledhja është paraparë të mbahet të premten, ndërsa është ftuar nga Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Shkaku i kushteve pandemike, edhe kjo mbledhje, sikur ajo paraprake  do të mbahet në sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”, duke filluar në orën 10:00.

Për rend dite janë paraparë këto pike:

1. Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për lirimin nga pagesa e qirasë dhe taksave për bizneset në Komunën e Prizrenit për periudhën gjashtë (6) mujore (mars-gusht 2020) për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19;

2. Shqyrtimi dhe miratimi i memorandumit për mbështetje financiare për Strehimoren e grave dhe fëmijëve;

3. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë (PKVEE) 2019-2021.