Kuvendi i Prizrenit në sfidë, kryetari Haskuka përmend zgjedhjet e parakohshme
Për të enjten (nesër) është thirrur vazhdimi i seancës së Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, që ishte ndërprerë me 25 shtator në mungesë kuorumi, ndërsa në rend dite do të jetë edhe miratimi i Buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020.
Kjo do të jetë ndoshta mbledhja më sfiduese e organit më të lartë komunal, pas konfigurimit të forcave politike, ku tashmë opozita (PDK-AAK-Nisma) ka numrin më të madh të ulësve, apo 21 nga 41 sa janë gjithsej.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka deklaruar sot se nëse asamblistët nuk e votojnë këtë buxhet, kjo do t’i dëmtojë qytetarët e komunës së Prizrenit me 3 milionë euro.
Ai ka shkruar në profilin e tij në ‘’facebook” se në të kaluarën Prizreni nuk ka marrë trajtim të duhur nga qeveritë dhe ka qenë i diskriminuar në shumë aspekte, ndërsa si shembull përmendi investimet nga Ministria e Infrastrukturës, që sipas tij në vitin 2019 kanë qenë më të ulëta për Prizrenin me vetëm 9 euro për kokë banori, derisa në Gjakovë investimet nga kjo ministri kanë shkuar deri në 150 euro për kokë banori.
“Kjo nuk mund të vazhdojë, prandaj kërkoj nga asamblistët që të votojnë buxhetin dhe mos ta dëmtojnë Prizrenin. Sipas ligjit, kur asambleja komunale është jofunksionale qeveria mund ta shpërbëjë dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme për asamblenë”, ka shkruar Haskuka.
Në anën tjetër, kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, ka konfirmuar për portalin “GazetaePrizrenit.net” se ka marrë një letër nga Ministria e Financave në të cilën thuhet se nëse deri me 15 tetor nuk miratohet buxheti, atëherë Prizreni mund t’i humb rreth 3 milion euro.
Ndryshe, mbledhja e fundit e KK-së pat dështuar pasi anëtarët e opozitës PDK e AAK në Kuvendin Komunal të Prizrenit braktisën atë, ende pa aprovuar rendin e ditës, ndërsa pos një anëtari të Nismës, të tjerët fare nuk morën pjesë në mbledhje, të cilën e lëshuan edhe këshilltarët e NDS-it boshnjak.
Ata kundërshtuan rendin e ditës, sidomos pikat për Shqyrtimin dhe miratimin e propozim-buxhetit për vitin 2020 dhe parashikimin e buxhetit për vitin 2021-2022, si dhe atë, ku planifikohej votimi për hyrje në koncesion të pronës komunale.
Për këtë kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi pat shtyrë mbledhjen për një datë tjetër.
Ndërkaq, Haskuka sot ka shkruar se buxheti i Prizrenit është përpiluar me konsultim të gjerë publik ku janë mbajtur 8 dëgjime publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) e cila u votua në korrik dhe u miratua nga Ministria e Financave.
Në bazë të KAB-it, është përpiluar propozim buxheti për vitin 2020, për të cilin po ashtu janë mbajtur edhe 5 dëgjime publike në të gjitha rajonet e komunës së Prizrenit, specifikisht në Zhur, Gjonaj, Korishë, Reçanë dhe në Prizren, ku nga kërkesat e parashtruara nga qytetarët është përpiluar buxheti.
“Pra, në total për këtë buxhet janë mbajtur 13 dëgjime publike, prandaj kritikat që nuk ka pas konsultime për buxhet nuk janë të sinqerta dhe janë politike”, ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net