04-08-2020

Kuvendi i Prizrenit nuk e miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal nuk e kanë aprovuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë theksuar se kjo kornizë është përpiluar pa i përfshirë kërkesat e qytetarëve dhe pa i konsultuar subjektet politike të KKsë. Njëherësh i kanë bërë thirrje ekzekutivit komunal që t’i ndryshojë këto praktika.

  • Lidhur me këtë çështje kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, të martën ka bërë të ditur se Komuna vjet ka mbajtur dëgjime publike për KAB-in, por se këtë vit mbajtja e tyre ka qenë e pamundur për shkak të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, transmeton KOHA.

    Sipas tij, kërkesat e qytetarëve sivjet janë mbledhur nëpërmjet qendrës së thirrjeve, përmes platformës digjitale dhe postës elektronike të Shtabit Emergjent, dhe se për këto qytetarët janë njoftuar nga televizionet lokale.

    “Me këtë KAB-i është hartuar në përputhje me kërkesat dhe sugjerimet që janë drejtuar nëpërmjet këtyre tri metodave. Mirëpo asamblistët e Kuvendit, duke pasur ankesa se këtë vit nuk ka pasur dëgjime publike, nuk kanë miratuar këtë kornizë”, është shprehur Haskuka në rrjetet sociale.

    Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që në Kuvend nuk kalon një pikë e tillë e rëndësishme, e që është në interesin e qytetarëve, “meqë më parë edhe propozim-vendimi për rishikim të buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020, e cila ishte kërkuar nga Ministria e Financave, nuk kishte marrë miratimin e asamblistëve”.

    Asnjë koment

    Comments are closed.