Kuvendi i Prizrenit nuk i shqyrton 7 propozim-vendime shkaku i mungesës së Ekzekutivit

Shtatë propozim vendime nuk janë shqyrtuar në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, pasi këshilltarët komunalë kanë shprehur pakënaqësinë me mosprezencën e zyrtarëve të Ekzekutivit lokal.

As përpjekja e kryesuesit të KK-së që t’i bind këshilltarët për vendimmarrje në pjesën e mbetur të mbledhjes nuk ka mjaftuar dhe seanca është mbyllur pa i shqyrtuar të gjitha pikat e rendit të ditës.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit në këtë seancë janë miratuar: buxheti për vitin 2021 dhe parashikimi për vitet 2022 dhe 2023; pastaj vendimi për miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme të komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitin 2021; gjithashtu raporti i punës së Kuvendit për vitin 2020, si dhe Plani i Punës së Kuvendit të komunës për vitin 2021; dhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 01/011-171720, datës 28 maj 2015, për emërtimin, riemërimin e rrugëve shesheve dhe hapësirave publike në territorin e komunës së Prizrenit.

Në të njëjtën kohë është paraqitur edhe informata për transparencën dhe qasjen në dokumente publike për vitin 2020, gjatë të cilës pikë kuvendarët kanë shprehur pakënaqësinë për mos praninë e zyrtarëve të Qeverisë komunale.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se nuk e ka të qartë për transparencën e kujt flitet në KK-në e Prizrenit pasi nuk është prezent asnjëri prej zyrtarëve të Ekzekutivit lokal.

Ndërsa Karanfil Haxhillari i Vetëvendosjes ka vlerësuar se nuk është në rregull që seanca të vijoj punimet pa qenë i pranishëm asnjë anëtar i Ekzekutivit të Prizrenit.

“Propozoj që pikat në vijim pa qenë Ekzekutivi mos me i diskutua, se po i bie me fol vet me veten. Është e papranueshme edhe për mua si këshilltar i VV-së që asnjë prej Ekzekutivit mos me qenë i pranishëm në seancë. Nuk po mbajmë seanca për çdo ditë, por një herë në muaj, dhe ata mos me qenë të gatshëm me i dëgjua debatet e këshilltarëve të KK-së është e papranueshme. Prandaj propozoj që pikat tjera të rendit të ditës ti diskutojmë në seancë tjetër”, ka thënë Haxhillari.

Këshilltarja e VV-së, Dafina Alishani ka pohuar se mos prania e zyrtarëve të Ekzekutivit pos që është fyerje për kuvendarët është fyerje edhe për qytetarët. “Por është edhe një gjë që duhet ta kemi parasysh, kur ke koha me u përgjigj, nuk i lejuam. Tash po i japim të drejtë me e lirua sallën edhe mos me na u përgjigj. Edhe ne e kemi gabim. Por kjo nuk e arsyeton këtë mungesën e gjithë Ekzekutivit”, është shprehur ajo.

Haziz Hodaj i LDK-së ka shtuar se kuvendarët disa herë kanë bërë vërejtje për qasjen joserioze të drejtorëve të Ekzekutivit. “Nuk e di këshilltarë e VV-së pse po ankohen. Le ti shkarkojnë drejtorët dhe ti zgjedhin tjerët më të mirë, që na japin përgjigje dhe që rrinë në seanca”, ka thënë Hodaj, duke kërkuar shqyrtimin e vendimeve që janë në rend të ditës.

Edhe kryesuesi i KK-së, Sulltan Badalli ka vlerësuar se janë pika që nuk kërkojnë debat dhe që mund të miratohen.

Por Shukri Quni i Nismës ka theksuar se kjo seancë është konsumuar pasi të gjithë drejtorët kanë dalë nga salla. Edhe Shkodran Kryeziu nga PDK-ja ka kërkuar që pikat e mbetura të shqyrtohen në një ditë tjetër.

Në këtë situatë kryesuesi Badalli ka kërkuar që së paku vendimi për miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme të komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitin 2021, por pa zyrat e partive politike të votohet. Pas miratimit të kësaj pike me shumicë votash, Badalli ka përfunduar seancën.

Lidhur me këtë çështje në rrjetet sociale ka reaguar drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Edon Muçaj, i cili ka theksuar se ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e rregullta te? KK-së, por se drejtorëve nuk po ju jepet fjala për të dhënë përgjigje për pyetjet e kuvendarëve. Ai ka paraqitur edhe një arsyetim, që e ka quajtur real sa i përket seancës së mbajtur të enjten e shkuar, duke pohuar se atë ditë ka qenë afati i fundit për regjistrim të shpenzimeve në programin për pagesa të të gjitha kategorive. “Në thesar lëndët nuk pranohen pa nënshkrim edhe të drejtorëve. Kjo është arsyeja pse janë larguar drejtorët nga salla”, ka shkruar ai.

Sipas raportit të punës për periudhën janar-nëntor 2020, KK-ja e Prizrenit, ka mbajtur pesë seanca të rregullta, 7 të jashtëzakonshme, 1 solemne dhe 1 urgjente./KOHA/