25-11-2024

Kuvendit të Prizrenit i dështon edhe një mbledhje (FOTO)

Opozita në Prizren edhe një herë ka braktisur mbledhjen e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit.

Anëtarët e PDK-së, AAK-së dhe ata të Nisma-së, këtë veprim e morën, gjatë rrjedhës së seancës së sotme, pas pauzës, kur pritej miratimi i pikave kryesore të rendit të ditës, raporton “GazetaePrizrenit.net”.

Kuvendari i KK-së nga AAK, Ilir Baldedaj, nga foltorja, tha se tashmë raporti i forcave politike ka ndryshuar në KK dhe shumicën e votave e ka opozita, dhe se këtë e dëshmon edhe seanca e sotme.

Për këtë ai kërkoi që opozita ta lëshoi mbledhjen, duke shkruar mungesën e kuorumit dhe kështu u veprua.

Me pas në mbledhje mbeten vetëm 15 nga 41 asambleistë sa ka KK-ja, ndërsa së paku duheshin 21 sosh sa është numri i mjaftueshëm për kuorum.

Raporti i numrave në KK tashmë del kësisoj: PDK ka 11 vota,  AAK dhe Nisma nga 5, ndërsa si opozitë kanë shumicën e thjeshtë apo 21 nga 41 ulëset sa ka KK, shkruan ‘GazetaePrizrenit.net’.

Por,  as sot kolegëve të tij për ta braktisur seancën nuk iu bashka Sinan Aliaj nga Nisma, i cili herën e kaluar, tha se këtë veprim po e bënte shkaku i qytetarëve pasi po miratohej buxheti.

Këshilltari i LDK-së, Haziz Hodaj, kërkoi që partnerët e koalicionit ta bisedonin gjendjen e krijuar, në mënyrë që të mos lejonin përsëritjen e këtyre formave, në të mirë të qytetarëve.

Përkundër kësaj, kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi edhe për një kohë nuk e ndërpreu seancën, sigurisht që kjo të mos dukej se dështim i radhës, duke kërkuar që kuvendarët vetëm të diskutonin për disa çështje, pasi në mungesë kuorumi nuk mund të votohej.

Ndryshe edhe ashtu, fillimi i seancës së sotme të KK-së është karakterizuar me tensione në të mes të zyrtarëve dhe kuvendarëve të opozitës.

Pas pikës së paraparë për pyetjet e këshilltarëve, ku kuvendarët kanë drejtuar kritika të shumta në adresë të qeverisjes, sidomos për gjendjen në arsim, ka folur kryetari i komunës, Mytahet Haskuka, duke hedhur poshtë ato.

Ndërkohë, që po fliste Haskuka, ka reaguar kuvendari i PDK-së, Bardh Avdaj i cili ka shkuar para ulëses së drejtorit të Shërbimeve Publike, duke i kërkuar me ton të ngritur që ai mos të fliste, e ndaj kësaj ka reaguar edhe kuvendari i Nismës, Shukri Quni, duke kundërshtuar që kuvendarë të Vetëvendosjes të ndërhynin ndaj kuvendarëve. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.